Guy-Smith: Haradinaj u ndalua në Francë, për akuzat që u shpall i pafajshëm në Hagë

10.01.2017 18:23:43

Avokati i liderit të AAK-së, ka thënë se është shumë i brengosur për ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë.

“Jam shumë i shqetësuar dhe i brengosur, për arsye se mendoj që ka ndikim të drejtpërdrejtë në çështjet fundamentale të sundimit të ligjit”, tha Gregor Guy-Smith,

Guy-Smith, që ka përfaqësuar Haradinaj në Tribunalin e Hagës, në një intervistë ekskluzive në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë se klienti i tij është shpallur i pafajshëm pikërisht për këto akuza, të cilat i përfshin edhe fletarresti i Serbisë.

“Rasti kundër Haradinajt është gjykuar në Tribunalin e Hagës dy herë tashmë, dhe gjatë atyre gjykimeve ai është shpallur i pafajshëm në 37-të aktakuza. Edhe në rigjykim ai është shpallur i pafajshëm. Fletarresti i vitit 2004 përfshin të njëjtat akuza në të cilat ai është shpallur i pafajshëm”, tha ai.