Haga/ Skadon afati për akuzën ndaj Hashim Thaçit: Spekulime për fatin e Presidentit

24.10.2020 11:28:02

Ka skaduar afati për konfirmimin e akuzave ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Dhomat e Specializuara në Hagë nuk e kanë njoftuar ende publikun nëse aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është konfirmuar apo hedhur poshtë, ndërkohë që afati prej gjashtë muajsh për ta bërë këtë, përfundon të shtunën, në 24 tetor.

Megjithatë, sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të këtyre Dhomave, një gjyqtar, në rrethana të jashtëzakonshme – nëse një prokuror i specializuar paraqet arsye të vlefshme përpara se të konfirmohet aktakuza – mund të lëshojë urdhër të përkohshëm për moszbulimin e aktakuzës para publikut, “për të parandaluar arratisjen e të akuzuarit, ose për të parandaluar ndonjë ndërhyrje tjetër në procedurë, ose trazirat shoqërore”.

“Në çdo rast, aktakuza do t’i zbulohet publikut, me ndryshime të mundshme nëse është e nevojshme, jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit përpara gjykatës”, thuhet në pikën 88 të kësaj Rregulloreje.

Ndërkaq, disa media në Kosovë, duke ju referuar burimeve të Hagës bëjnë të ditur se është konfirmuar akuza ndaj hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Gazeta Koha Ditore, duke ju referuar avokatit Arianit Koci, thekson se  së paku pjesërisht aktakuza është konfirmuar.

“Mendoj se aktakuza është konfirmuar, së paku pjesërisht, për shkak se gjyqtari i procedurës paraprake i ka pasur gjashtë muaj ditë afat që ta konfirmojë apo ta hedhë aktakuzën”, tha Koçi. “Meqenëse deri sot nuk e kemi informatën se aktakuza është hedhur poshtë, rrjedhimisht ajo është konfirmuar”.

Më 24 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ua paraqiti për shqyrtim Dhomave të Specializuara një aktakuzë me dhjetë pika, përmes së cilës Thaçi, Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”, thuhej në njoftim. “Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Prokurori i Specializuar e kishte gjykuar të domosdoshëm nxjerrjen e kësaj informate për akuzat, pasi kishte thënë se Thaçi e Veseli po bënin përpjekje të përsëritura për pengimin dhe sabotimin e punës së Speciales.

Por, tani kur ka përfunduar afati brenda së cilës duhet konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuza, nga Haga nuk është treguar gatishmëri të jepen informacione.

“Kolegët e mi në Dhomat e Specializuara do të përgjigjen”, ka thënë shkurt Chris Bennett, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

E, të përmbajtur nga informatat janë treguar edhe në institucionin që e ka përmendur Bennetti.

“Derisa një aktakuzë të bëhet publike ajo mbetet konfidenciale, si dhe procedurat që lidhen me shqyrtimin e saj”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Dhomave të Specializuara. “Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, nëse një aktakuzë konfirmohet ajo do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit para Gjykatës”.

Avokati Koçi tregon edhe arsyet pse Specialja mund të vendosë për të mos e ndarë me publikun informatën për aktakuzën kundër Thaçit e Veselit.

Prokuroria e Specializuar në Hagë e paraqiti në 24 prill aktakuzën për shqyrtim në Dhomat e Specializuara të Kosovës kundër Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe disa personave “të tjerë”, emrat e të cilëve prokuroria nuk ka dashur t’i publikojë.