Hahn: BE po negocion me Serbinë, por çështja e dialogut me Kosovën duhet të zgjidhet

26.05.2019 22:07:08

Komisionari Evropian, Johannes Hahn, ka thënë se BE-ja ka filluar negociatat me Serbinë, edhe pse duhet të zgjidhet situata rreth dialogut me Kosovën.

Komisionari Evropian për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johannes Hahn, gjatë ditës së sotme ka deklaruar se Bashkimi Evropian ka filluar negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE, mirëpo sipas tij, çështja e dialogut me Kosovën duhet të zgjidhet, transmeton lajmi.net.

Në një intervistë për gazetën spanjolle “Mundo”, Hahn, ka thënë se BE-ja ka arritur që të vë Ballkanin Perëndimor në binarë viteve të fundit.

Në kuadër të kësaj, Hahn ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian ka filluar negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE.

“BE ka filluar negociatat për anëtarësimin e Serbisë, edhe pse situata në lidhje me dialogun me Kosovën ka nevojë për t’u zgjidhur”, ka deklaruar Hahn, transmeton më tutje lajmi.net.

Ai në këtë intervistë, deklaroi se suksesi i BE-së, ishte edhe marrëveshja mes Shkupi dhe Athinës, pasi që sipas tij, “Maqedonia Veriore ishte në prag të rënies, dhe tani ajo ka qëndruar në këmbë”.

Komisioneri Evropian, Hahn, theksoi se Evropa duhet të esportojë stabilitet në rajon dhe se sipas tij, deklarata e Presidentit të Komisionit Evropian, Jean Clude Juncker, mund të jetë keqkuptuar pasi që siç u shpreh Hahn, Juncker, ka thënë qartë se “asnjë vend nuk do të anëtarësohet deri në fund të mandatit të tij”.

“Nuk ishte një vendim, por një deklaratë”, ka deklaruar Hahn në këtë intervistë i cili edhe vuri në dukje se “secilit shtet i është bërë e qartë se logjikisht për këtë nevojitet kohë.”

Sipas komisionerit Hahn, javën e ardhshme BE-ja do të njoftojë vlerësimin për Bosnjën, vendi që sipas tij ka mbetur prapa më së shumti.

“Është e rëndësishme që partnerët tanë të dinë, se nëse i plotësojnë kushtet, edhe ne do të përmbushim premtimet tona”, përfundoi Hahn, duke vënë në dukje se shpreson që shtetet anëtare të BE-së të japin ‘dritën e gjelbër’ për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.