Hakan Sukur me porosi për Thaçin e Haradinajn: Ktheni prapa të deportuarit

30.03.2018 18:30:30

Legjenda e futbollit turk, Hakan Sukur, që me prejardhje është nga Kosova, ka shkruar në Twitter për rastin e fundit të deportimit të gjashtë turqve për në Turqi.
Sukur ka shkruar duke kërkuar nga kryeministri, Ramush Haradinaj e presidenti, Hashim Thaçi, që të shkarkojnë njerëzit përgjegjës e të kthejnë prapa të deportuarit.

“Si djalë i prindërve nga Prishtina, kërkoj nga ju që të ndaloni këtë nonses që po bëni duke e poshtëruar vendin tuaj”, shkruan Sukur.

“Detyra juaj nuk është vetëm të shkarkoni zyrtarët përgjegjës, por edhe t’i ktheni ata burra përsëri tek familjet e tyre dhe fëmijët e tyre”.

“Është shumë e rëndësishme që të ribashkohen me familjet e tyre baballarët dhe bashkëshortët e pafajshëm, dhe të shkarkohen njerëzit përgjegjës për këtë akt absolutisht të turpshëm”.

Vet Sukur jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sepse edhe ai, njëjtë si turqit e deportuar, konsiderohet si mbështetës i klerikut Fetullah Gulen.

Nga qeveri turke, Gulen cilësohet si terrorist.