Hakmarrja e ëmbël e Mario Gotze

20.11.2016 14:08:47

Ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës në Bundesligë që pas rikthimit të tij te Dortmundi, por ai asist për Pierre Emerick Aubameyang në sfidën e Signal Iduna Park ndaj Bayernit, vlen më shumë se një gol për Mario Gotzen. Një meritë të padiskutueshme në fitoren 1-0 që verdhezinjtë regjistruan ndaj bavarezëve e kishte edhe njeriu që me golin e tij në Maracana udhëhoqi Gjermaninë drejt fitimit të Kupës së Botës, Brazil 2014. Duhet ende kohë për të parë në fushë Mario Gotzen e vërtetë por nga ndeshja në ndeshje, 24-vjecari po e rrit nivelin e lojës së tij dhe këtij fakti mund ti gëzohen tifozët e Dormtundit të cilët presin me padurim shpërthimin e benjaminit të tyre. Një asist për Aubameyang, shumë lëvizje të bukura dhe gjithmonë një rrezik konstant për mbrojtjen e Bayern-it, të Shtunën Mario Gotze ishte në një ditë të mirë ndaj baverezëve të Carlo Ancelottit. Falë asaj fitoreje Dortmundi i Thomas Tuchel u rikthye në garën për titull, me shpresën se nga tani e tutje do të mbështetet edhe te forma e mirë e Gotzes për të rivalizuar me Bayernin por edhe me surprizën e vërtetë të këtij sezoni Leipzigun e Ralph Hassenhuttl. Ajo e Signal Iduna Park mund të konsiderohet ndryshe edhe si hakmarrja e ëmbël e Mario Gotzes në sfidën e tij të parë si kundërshtar ndaj ish skuadrës së tij, Bayern-it që në 3 sezone asnjëherë nuk i dha mundësinë 24-vjecarit të shfaqte potencialin e tij të vërtetë.