Haliti: Në interes të Kosovës një koalicion me LDK

11.08.2017 17:05:37

Me gjithë deklarimet që janë bërë së fundi nga zyrtarë të PDK-së, se i kanë numrat për ta votuar kryetarin e Kuvendit, anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, ka deklaruar se ata nuk i kanë numrat, pasi po t’i kishin do të merrnin pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Haliti  në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se ende nuk dihet nëse PAN, do të marrë pjesë në seancën e së hënës, derisa ka shtuar se është në interes të vendit koalicioni me LDK-në.

“Është një situatë, nuk e di saktë se çfarë mund të ndodhë nesër, çfarë mund të sjellë e hëna, çfarë mund të sjellë java që po hyjmë, ndoshta mund të bëhen 61 vota. Mund të kaloj dikush këndej. Ne presim që të jemi të sigurtë në zgjedhjen e kandidaturave tona, edhe për parlamentin, edhe për qeverinë….Ne sikur t’i kishim votat të gjitha, ne do të futeshim në seancë të zgjidhnim kryetarin e Kuvendit dhe do ta caktonim seancën për ta zgjedhur kryeministrin, respektivisht Qeverinë. Ne kemi pasur një marrëveshje në bazë të informatave që kam dhe ka lëviz puna, dikush është tërhequr nga marrëveshja dhe tani po punohet të kemi një marrëveshje të re dhe t’i qëndrojmë asaj marrëveshje.. Nuk kam informacion kush me kënd bisedon sepse unë s’jam i ngarkuar dhe s’jam pjesë e grupit që zhvillon bisedime për koalicione”, tha ai.

Kurse, sa i përket pjesëmarrjes në seancën e së hënës, të thirrur nga kryesuesi, Adem Mikullovci, pa takimin konsultativ të cilin e ka kërkuar PDK-ja, Haliti thotë se ende nuk ka vendos partia nëse do të marrin pjesë, por thekson se është e drejtë e kryesuesit që të thërras seanca.

Haliti: Ende s’kemi vendos për seancën e së hënës

“S’mund të them që ai s’ka të drejtë të thërras seancën, ai ka të drejtë të thërras seancën, por unë besoj që kjo tryezë do të duhej të derivonte në një marrëveshje të përbashkët të grupeve parlamentare, respektivisht të partive ose në fund të fundit mund të derivonte një takim të përbashkët të kryetarëve të partive politike, të cilat do të gjenin një zgjidhje domosdo. Tani për tani nuk mund të them a do të marrim pjesë a jo, sepse është çështje e kryesisë së partisë, është çështje e organeve të partisë, të cilat mbi bazën e informatave që kanë sa i përket të hënës, me siguri që do të marrim një vendim të natyrshëm dhe domosdoshëm për të marrë pjesë ose për të mos marrë pjesë. Në qoftëse ka kushte të cilat janë evidente nga GP fitues i këtyre zgjedhjeve, atëherë me siguri që ne do të marrim pjesë por në qoftëse nuk është plotësuar asnjë kusht, i cili ka qenë në tryezen e bisedimeve dhe në qoftë se po shihet kryesuesi i vetë seancës që e ka ftuar mbledhjen dhe është rënë dakord, tani më thotë se s’ka më mbledhje konstituive, atëherë vendimin do ta marrë partia, kryesia e PDK-së”, tha ai.

Ndërsa e quan të padrejtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, ku kryesuesi është i vetmi person që e udhëheq parlamentin, duke përjashtuar kryesinë e vjetër.

“Në qoftë se bazohemi në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili unë mendoj padrejtësisht ose jo sipas kushtetutës, i jep mundësi kryesuesit dhe përcakton kryesuesin si të vetmin institucion që e udhëheq Parlamentin e Kosovës, duke e spostuar kryesinë e vjetër. Tani seancën e thirrë kryesia e vjetër e mëparshme dhe z.Adem ka ngel tash edhe kryetar edhe kryesi dhe komision dhe të gjitha”, tha ai.

Haliti thotë se Kosova institucionet e saja mund t’i ketë shpejtë, por se interesat politike dhe të grupeve parlamentare tani për tani janë të pozicionuara kundër njëra-tjetrës dhe se është e vështirë që të jepet një vlerësim real.

Ai shtoi se është në interes të vendit koalicioni me LDK-në, e cila sipas tij, është interesuar ta zvarrit këtë proces deri pas zgjedhjeve lokale, atëherë dhe kur kjo parti mund të ndërrojë dhe qëndrim.

“Në qoftë se e drejta kushtetuese i takon dikujt, atëherë edhe votimi do të duhej të ishte formal, në përputhje me dëshirën dhe propozimin e atyre që iu takon, jo të imponohet diçka që e dëshiron të tjerët. Rasti tjetër është çështja e Qeverisë që unë po besoj edhe aty mund të ketë akoma paqartësi, meqenëse s’ka lëvizje pozitive as nga përfaqësues të partive politike që janë brenda koalicioneve të ndryshme, por as nga vet kolaicionet për t’i dhënë zgjidhje interesave të vendit. Unë po i kuptoj disa nga partitë politike që janë të interesuar me qu këtë punë deri në zgjedhjet lokale, që ky veprim është dhe do të jetë i dëmshëm për interesat e qytetarëve.. Unë mendoj që LDK e ka një problem të brendshëm edhe pse s’kam kumedit çfarë informatash, por ata në dy zgjedhjet e kaluara janë deklaruar kundër koalicionit me PDK-në dhe situatat pas zgjedhore tash ose parazgjedhore ka ngrit tensionet politike, n ë raportet mes dy partive dhe gjithë protagonistët kryesor politikbërës të LDK-së janë deklaruar se nuk shkojnë në asnjë rast dhe në asnjë kusht në koalicion më me PDK. Në qoftë se e kanë thënë kështu nuk e kanë të lehtë të bëhen me PDK, ashtu siç nuk e kanë të lehtë për të mos thënë të pamundshme për shkaqe idiologjike dhe për arsye tjera më të rëndësishme politike, të interesave strategjike që e kanë vështirë që LDK të qëndroj në koalicion me VV. Ndoshta mbas zgjedhjeve lokale, kisha me pa ndryshe qëndrimin e LDK-së. Por po besoj që interes i Kosovës, interes i të gjithë njerëzve në Kosovë, është që ne të kemi një koalicion të përbashkët me LDK-në, duke pasur parasysh dhe duke reflektuar për të metat e njërës palë ose tjetrës palë dhe të shkojmë përpara, t’i zgjedhim institucionet dhe të punojmë për vendin”, tha ai.

Haliti thekson se kandidati i vetëm i PDK-së për kryetar të Kuvendit, mbetet Kadri Veseli. Ndërsa kundërshtimin e partive tjera për ta votuar atë, e sheh si tentativë për të përfituar në kohë.

Kandidat i vetëm Kadri Veseli

“Ky qëndrim i palëve në këtë rast i kundërshtarëve të koalicionit PAN, është më shumë një qëndrim për ta prolonguar sepse edhe ata po e dinë që ne kemi vetëm një kandidaturë, e kemi vetëm Kadri Veselin dhe atyre po u intereson me përfituar në kohë”, tha ai.