Haliti: Nuk mund t’iu kundërvihemi SHBA-ve, ato i kanë të gjitha instrumentet që të na detyrojnë

19.01.2019 00:07:54

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti konsideron se asnjë subjekt politik shqiptar nuk mund të i kundërvihet Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasi që thotë se këta të fundit me qëndrimin e tyre karshi Kosovës dhe taksës 100% kanë qenë më shumë këshillues sesa që kanë bërë presion.

Ai në emisionin “BlicInterview me Astrit Gashin” ka thënë se nëse letra e fundit që ka ardhur nga SHBA-të do të ishte presion apo kushtëzim, përsëri Qeveria e Kosovës do të ishte e pafuqishme që të vepronte siç do vet sepse thotë që SHBA-të i kanë të gjitha mjetet që t’i detyrojnë.

“Unë nuk e besoj që të paktën subjektet politike shqiptare, cilado çofshin që janë të gatshme t’i kundërvihen politikave të SHBA-ve në raport me Kosovën. Tani kjo situata që është krijuar ka prodhuar diskutime por unë besoj që ne nuk mund t’i kundërvihemi SHBA-ve në këtë rast, por unë konsideroj qëndrimin e SHBA-ve më shumë si qëndrim këshillues për politikën e Qeverisë së Kosovës sesa një presion, sepse po të flasim për presion, po të flasim për kushtëzime, atëherë ata i kanë të gjitha instrumentet që të na detyrojnë”, është shprehur ai.

“Nuk e di se çfarë qëndrimi ka Qeveria por është mirë që ta rishikojmë, në qoftë se ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë dhe sekretari i shteti apo kush ka shkruar letër, është mirë që të rishqyrtohet dhe në përputhje me marrëveshjet që janë për zbatimin e rregullave që ia përcakton CEFTA së pari si Marrëveshje Ndërkombëtare dhe marrëveshjeve të nënshkruara ne duhet t’i zbatojmë, sepse marrëveshjet ndërkombëtare nënshkruhen për t’i zbatuar ato”.

Së dyti, sipas Halitit, asnjëherë marrëveshjet ndërkombëtare dy palësh nuk i bien taman të dyja palëve.

“Nga një herë si bien njërës palë, nganjëherë s’i bien palës tjetër por në fund të fundit, më mirë është që të zbatohen sesa të mos zbatohen”.

“Unë mendoj që për mentalitetin e Bashkimit Evropian (BE) dhe variantin e rregullave që kanë SHBA-të dhe politikat që përpiqen ndoshta jo me i imponua por që Ballkani Perëndimorë t’i zbatojë ky vendim mendoj që nga këndvështrimi i tyre duket absurd, për faktin se nuk mund të futemi në luftë ekonomike, luftë politike me njëri-tjetrin në njërën anë dhe në anën tjetër të kërkojmë dhe në anën tjetër të kërkojmë që të bëjmë përpjekje që t’i tejkalojmë problemet që e kemi pas deri dje. Unë po them, nga këndvështrimi i tyre është i papranueshëm.” ka thënë Haliti.