Hamami i Vushtrrisë, vendi ku vajzat kanë bërë pastrimet dhe ritet paramartesore (Video)

04.09.2018 18:52:29

Hamami i vjetër i Vushtrrisë nga banorët njihet edhe si “Thesari i Vushtrrisë”.

Me një ndërtim të veçantë, i përbërë nga tri dhoma, Hamami i vjetër, apo siç njihej ndryshe si banjo publike, është ndër monumentet më të rëndësishme të qytetit të Vushtrrisë, i cili mendohet të jetë i vjetër sa vetë qyteti.

Historiani Burim Rexhepi thotë për RTV Dukagjinin se Hamami i Vushtrrisë i takon shekullit të XV.

“Vushtrria është një ndër qytetet më të vjetra në Kosovë. Pas pushtimit nga Perandoria Osmane në vitin 1455, është shfaqur nevoja për ndërtimin e një banjo publike siç njihej Hamami. Hamami është një kulturë orientale që ka shërbyer për nevojat e kohës si banjo publike”, tregon historiani.

Me një pamje të veçantë të ndërtimit Hamimi i Vushtrrisë është ndërtuar nga Gazi Beu dhe posedon tri dhoma.

Ndryshe njihet edhe si “Hamami tek” sepse një ditë shërbeheshin femrat ndërsa një ditë tjetër meshkujt.

“Hamai kishte shërbyer si banjo publike dhe ka qenë i tipit tek. Meshkujt kanë kryer banjo një ditë, ndërsa femrat në një ditë tjetër. Përpos banorëve vendas banjo kanë mundur të bëjnë edhe mysafirët. Shërbimet kanë qenë me pagesë”, tregon më tej historiani Burim Rexhepi, përcjell Telegrafi.

Drejtoresha për Kulturë në Vushtrri, Fatmire Cecelia ka thënë se për historinë e Hamamit ka dëgjuar nga familjarët e saj.

“Fatmirësisht qyteti i Vushtrrisë është i pasuruar me shumë monumente historike. Tri monumentet kryesore janë Kalaja e Vushtrrisë, Ura e Gurit dhe Hamami. Fontana e Hamamit iu ka mbetur më së shumti në kujtesë banorëve. Halla ime 77 vjeçare tregon se në Hamam janë mbledhur këtu me shoqet dhe i kanë bërë të gjitha pastrimet dhe ritet paramartesore”, tregon më tej Fatmire Cecelia.

Historiani Burim Rexhepi thotë se Hamami i Vushtrrisë ishte në funksion deri ne vitet e ’80-ta.