Hamdi Salihi shënon sërish, ndihmon skuadrën në përmbysjen e rezultatit

11.05.2018 23:48:58

Hamdi Salihi vijon të jetë protagonist te skuadra e tij Wiener Neustadt, në ligën e dytë austriake. Sulmuesi shkodran gjeti sërish rrugën e rrjetës pasditen e sotme, duke ndihmuar skuadrën e tij të përmbysë disavantazhin fillestar dhe të marrë 3 pikë shumë të vlefshme.

Neustadt e pa veten në disavantazh ndaj Kapfenbergut, por barazoi rezultatin shumë shpejt me golin e shënuar nga Salihi, ndërsa në pjesën e dytë shënoi edhe golin me vlerë 3-pikëshe, duke fituar 2-1.

Sulmuesi shkodran është në krye të listës së golshënuesve, së bashku me Chabi të Riedit, me nga 21 gola secili, ndërsa Neustadt vijon luftën për t’u rikthyer në Bundesligën austriake.