Hamilton: Garoj vetëm për të fituar në Abu Dhabi

17.11.2016 17:12:18

Lewis Hamilton është i vendosur. Edhe pse tashmë Botërori i Formula 1 nuk varet më nga ai, piloti britanik do të bëjë gjithcka për të mundur shokun e skuadrës Nico Rosberg dhe për të shpresuar deri në xhiron e fundit te titulli kampion, që për britanikun e Mercedes-it nëse e fiton do të ishte i treti rradhazi. Fundjavën e 26 dhe 27 Nëntorit në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, zhvillohet gara e fundit e Botërorit të Formula 1, me Hamilton që ka detyrën e vështirë për të rikuperuar 12 pikë disavantazh ndaj Rosberg. Anglezit nuk do ti mjafonte as fitorja sepse nëse Rosberg renditet minimalisht i treti do shpallej kampioni i ri i Botës, por Hamilton nuk i humbet shpresat dhe beson deri në fund.

” Duhet të vazhdoj të garoj sic kam bërë deri tani.  Nico i ka përfunduar të gjitha garat në këtë sezon me përjashtim të asaj të Barcelonës. Ai ka patur shumë besueshmëri në këtë sezon dhe mendoj se do të jetë shumë e vështirë ta mund në garën për titull. Por kjo nuk do të thotë që unë nuk do të provoj të fitoj në Abu Dhabi, do të jap maksimumin nga vetja, kjo është vetmja gjë që mund të bëj”.

Nico Rosberg në krahun tjetër e ka të qartë se do ti mjafonte vendi i tretë në garën e fundit, për të fituar titullin e tij të parë në karrierë.”Ende nuk e di sesi do ta përballoj këtë garë, do tua them kur të kem menduar disa gjëra. Do të jetë gjithsesi një fundjavë shumë e vështirë, logjikisht do të provoj të fitoj, do të më pëlqente, vitin e kaluar kam fituar garën por kjo nuk vlen për këtë vit”, deklaroi piloti gjerman i Mercedes-it.