Hamilton theu urdhërat e Mercedes, rrezikon largimin

28.11.2016 20:22:50

Në Abu Dhabi, Lewis Hamilton bëri gjithcka për ti rrëmbyer titullin Nico Rosberg-ut madje nuk iu bind as urdhrave që mori nga drejtuesit e skuadrës Mercedes vetëm e vetëm për të fituar titullin e tretë rradhazi. Por në fund  të garës festa ishte e gjitha për Rosberg që u bë gjermani i parë në historinë e Formula 1 që fiton një kampionat Botëror me një makinë gjermane. Hamilton vazhdon të jetë piloti më i mirë por Rosberg e meritoi më shumë se kushdo tjetër këtë titull jo vetëm për faktin se fitoi 9 gara një më pak se anglezi, por sepse ishte thjeshtë perfekt në fillim të sezonit dhe më pas arriti të adiminstronte avantazhin e krijuar duke mos gabuar pothuajse asgjë. Prapaskenat për mos bindjen e Hamilton ndaj urdhrave të drejtuesve të skuadrës janë zbuluar me mediat angleze dhe pas këtij veprimi të tij 3-herë kampioni i Botës rrezikon të humbasë kontratën e tij me Mercedesin pasi skuadra gjermane mund të marrë vendimin drastik për të përjashtuar. Hamilton mund të hedhë në erë 30 milionë Paund që fiton nga kontrata me Mercedesin në një vit kalendarik për faktin se në xhirot e fundit të garës së Abu Dhabit uli shpejtësinë për të bërë rolin e digës në mënyrë që pilotët e tjerë të afroheshin me Rosberg që ishte i dyti dhe ti rrezikonin pozicionin gjermanit. Ndryshe nga ajo cfarë i kishte kërkuar skuadra për të shtuar ritmin dhe për tu shkëputur në krye, Hamilton veproi me kokën e tij duke vënë në rrezik objektivat e skuadrës përpara interesave personalë. I pyetur nga gazetarët mbi këtë cështje, shefi i skuadrës gjermane Totto Wolff la të kuptohet se do të merren masa ndaj britanikut. Edhe Sebastian Vettel në përfundim të garës bëri të ditura qëllimet e Hamilton, duke theksuar se anglezi e ngadalësoi shpejtësinë vetëm e vetëm që vendi i dytë i Rosberg të vihej në rrezik, por gjermani i Ferrarit që doli i treti theksoi se për asnjë arsye nuk do të rrezikonte një përplasje të mundshme me Rosberg.