Hanna, kongresisti i parë republikan, që deklaron votën për Hillary Clinton

02.08.2016 16:44:13
Tri herë i zgjedhur si kongresist, republikani Richard Hanna,  ka deklaruar sot se do të votojë në zgjedhjen presidenciale për kandidaten  Hillary Clinton që vjen nga demokratët.
Sipas kongresistit Hanna, kandidati Donald Trump nga Republikanët për president, “nuk është i përshtatshëm që t’i shërbejë partisë së tij dhe nuk mund të drejtojë vendin”.

Hanna bëhet republikani i parë nga Kongresi që tejkalon vijën partiake dhe që publikisht deklaron se do të votojë në nëntor për kandidaten Clinton, transmeton lajmi.net.

Edhe anëtarë të tjerë të Kongresit kanë refuzuar të mbështesin kandidatin Trump, por deri më tash asnjë prej tyre nuk ka premtuar se do të votojë për kundërshtaren demokrate.

Hanna këtë deklarim e bëri të martën në mëngjes në një shkrim autorial dhe në një intervistë për Syracuse.com, transmeton lajmi.net.

Kongresmeni i pensionuar më parë ka thënë se nuk mund ta mbështesë asnjëherë Donald Trumpin, por kishte pushuar së mbështeturi për një kohë edhe Clintonin.

“Mendoj se Trump është një turp kombëtar. Është vërtetë ai njeriu të cilit ju doni t’i lini kodet e bombës atomike?”, ka pyetur Hanna.