Hapen të gjitha vendvotimet në Preshevë, numër i vogël i votuesve

21.06.2020 10:18:09

Në ora 7:00 janë hapur 38 njësitë e votimit në Komunën e Preshevës për zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Mbi 41 mijë qytetarë kanë të drejtë vote nga kjo komunë, por në orët e para numër i vogël i qytetarëve u janë drejtuar kutive të votimit.

Agim Ymeri, koordinator i trupit punues, tha se përveç një qendrës që ka pasur disa probleme, të tjerat janë hapur në orën 7:00.

Ai tha se deri më tani një numër i vogël i qytetarëve kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar.

“Në komunën tonë janë 38 njësi, të gjitha janë hapur në ora 7, përpos në një për shkak të largësisë nga qendra dhe komisionerët pak me vonesë kanë arritur, por sido që të jetë edhe ajo njësi pak me vonesë por është hapur. Deri më tani përqindja nuk mund të flasim me përqindje se ende është herët, ende është herët por dua të them është numër i vogël, por shpresojmë brenda ditës të dalin…Deri më tani nuk ka, përpos disa problemeve teknike, mungesa e ndonjë materiali, mirëpo ato janë evituar”, tha ai.

“Sipas shënimeve të fundit në komunën tonë janë gjithsej 41 mijë e 323 votues…Duke pasur parasysh rëndësinë e deputetit popullor shpresojmë që përqindja do të jetë e lartë. Aktivitetet janë mbajtur, probleme nuk ka pasur dhe shpresojmë që gjithçka do të shkojë mirë”, tha ai.

Një nga votuesit e pakët në objektin e Komunës së Preshevës ishte pensioneri Fehmi Shabani, i cili tha se pret që të votohen shqiptarët dhe të kenë numër më të madh të deputetëve në Kuvendin e Serbisë.

“Nga këto zgjedhje presim që të marrim më tepër deputetë në Kuvendin e Serbisë”, tha ai.

Shqiptarët për herë të parë kanë një listë të unifikuar me 5 parti politike, Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar.