Hapet aplikimi online për programin e shkëmbimit të të rinjve Youth Exchange and Study – YES

10.09.2019 17:02:20

Deshironi te kaloni nje vit shkollor ne SHBA? Tani keni një mundësi.

Hapet aplikimi online për programin e shkëmbimit të të rinjve Youth Exchange and Study – YES.

Programi YES u themelua nga Kongresi Amerikan, financohet plotësisht nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe administrohet nga Zyra e Çështjeve të Arsimit dhe të Kulturës (ECA) e Departamentit Amerikan të Shtetit. Programi u siguron nxënësve të shkollave të mesme të përzgjedhur përmes konkursit një bursë që të jetojnë për një vit shkollor në SHBA me një familje mikpritëse vullnetare, dhe të studiojnë në një shkollë të mesme në SHBA, për të nxitur të kuptuarit mes njerëzve në Shtetet e Bashkuara dhe popujve të tjerë në botë.

Programi YES mbështetet në nivelin lokal nga mijëra qytetarë amerikanë dhe shkolla të mesme që mirëpresin, arsimojnë dhe ndihmojnë studentët pa kompensim financiar. Tani, në vitin e 16-të, programi akademik YES ka siguruar bursa për mijëra nxënës të shkollave të mesme nga shumë vende. Më shumë se 400 nxënës nga Evropa Juglindore kanë marrë pjesë në programin YES deri tani. Për këtë vit akademik 2019-2020, 81 nxënës nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kosova dhe Republika e Maqedonisë Veriore po studiojnë në SHBA me programin YES.

Për të aplikuar duhet të plotësoni këto kushte:
1. Të jeni të lindur mes periudhës 1 janar 2003 dhe 15 korrik 2005.
2. Të jeni nxënës të klasës së 10-të ose 11-të të shkollës së mesme.
3. Të jenë nxënës me notën mesatare mirë ose shumë mire
4. Të mos e kenë përfunduar shkollën e mesme para datës së nisjes së programit
5. Të kenë mësuar gjuhën angleze dhe të demonstrojnë aftësitë në gjuhën angleze në kohën e regjistrimit për konkurs.
6. Të përmbushin kriteret për marrjen e vizës amerikane.
7. Të jenë në gjendje të pajisen me një pasaportë ndërkombëtare.
8. Nxënësit me aftësi të kufizuar duhet të jenë të regjistruar në një shkollë të mesme në vjeshtën e vitit 2019 dhe të jenë të lindur mes 15 shkurtit 2002 dhe 15 korrikut 2005.

Aplikimet për vitin akademik 2020-2021 janë të hapura, gjithçka që duhet të bëni është të hapni një llogari ne ueb faqen: https://ais.americancouncils.org/cgi- bin/WebObjects/AIR.woa/wa/login?brand=yes dhe të plotësoni nje aplikim të përbërë prej disa pyetjeve biografike dhe 3 eseve te shkurta.

Për këtë faze të aplikimit mjafton të ngarkoni në aplikacion një fotografi tuajen si dhe një dokument identifikimi. Një komitet përzgjedhës do të vlerësojë aplikimet në internet dhe do të zgjedhë gjysmëfinalistët në nëntor. Gjysmëfinalistët do ti nënshtrohen një aplikimi më të gjatë, një testi të aftësisë së gjuhës angleze, tri ese-ve si dhe do të intervistohen personalisht nga stafi i Këshillit Amerikan. Aplikantët mund të aplikojnë vetëm një herë në internet dhe mund të marrin pjesë vetëm në një intervistë. Afati i fundit për aplikim 31 tetor 2019.