Hapet oda e përbashkët ekonomike Kosovë-Zvicer

15.05.2019 20:51:39

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj po qëndron në Zvicër bashkë me ministrin Valdrin Lluka, zëvendësministren Rejhan Vuniqi, deputetët Xhavit Haliti dhe Lutfi Haziri, ku kanë inauguruar odën e përbashkët ekonomike Kosovë-Zvicër, në prani edhe të ministrit të ekonomisë së Zvicrës, Guy Parmelin.

Këtë e ka bërë të ditur, Hoxhaj përmes një postimi në Facebook, ku tha se zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës është prioritet i Qeverisë së Kosovës, përcjell lajmi.net.

Postimi i plotë:

Në prani të Ministrit të Ekonomisë së Zvicres, Guy Parmelin, deputetëve Alfred Heer, Hans-Ulrich Bigler, Felix Morrin, ndërmarrësve të shumtë zviceran e kosovarë, bashkë me ministrin Valdrin Lluka, zëvendësministren Rejhan Vuniqi, deputetët Xhavit Haliti dhe Lutfi Haziri, inauguruam Odën e Përbashkët Ekonomike Zvicer-Kosovë, në Cyrih.

Zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës është prioritet i Qeverisë së Kosovës, prandaj investimet e huaja direkte janë mëse të domosdoshme. Kjo odë ekonomike do të shërbejë si platformës që i shërben këtij qëllimi. Marrëdhëniet e shkëlqyeshme me Zvicren, diaspora kosovare atje, si dhe tani kjo odë ekonomike do të sigurojnë urën e bashkëpunimit për investime të reja në Kosovë.