Haradinaj dënon ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë

19.10.2017 13:21:22

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka dënuar ndërhyrjen e institucioneve të Serbisë në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë.

Haradinaj thekson se aktet e tilla bien ndesh me parimin e fqinjësisë së mirë dhe cenojnë në mënyrë thelbësore qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

“Qeveria e Kosovës dhe unë personalisht si Kryeministër i Kosovës, dënojmë fuqishëm aktin e ndërhyrjes së institucioneve të Serbisë në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë. Aktet e tilla, bien ndesh me parimin e fqinjësisë së mirë, dhe cenojnë në mënyrë thelbësore qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Mirë integrimi i serbëve të Kosovës është interes reciprok, dhe çdo përpjekje për të dëmtuar këtë qëllim do të konsiderohet si mosrespektim i vullnetit politik të tyre. Serbët e Kosovës kanë të drejtë të zgjedhin, dhe zgjedhja e përfaqësuesve të tyre, pa ndërhyrje, do të respektohet nga autoritetet e Republikës së Kosovës”, shkruan Haradinaj.