Haradinaj emëron Ali Berishën zëvendësministër të Shëndetësisë

02.10.2017 19:05:03

Sekretari organizativ i AAK-së, Dr. Ali Berisha, është emëruar sot zëvendësministër i Shëndetësisë i Qeverisë e Republikës së Kosovës.

Dr. Ali Berisha ka qenë Kryetar i Komunës së Pejës për 5 vjet e 8 muaj nga rradhët e AAK-së dhe në mandatin e fundit deputet i Kuvendit të Kosovës nga ky subjekt politik.

Dr. Ali Berisha njihet si ndër bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj.

Si figurë institucionaliste gjatë qeverisjes komunale Berisha njihet edhe në qarqet partiake personalitet që ka aftësi të punojë në ekip. I butë në dukje por ‘strong’ në vendime. Kështu vlerësohet nga bashkëpartiakët, zv. ministri i ri i Shëndetësisë kosovare.

Lajmin për emrimin e tij në këtë post qeveritar e ka bërë të ditur, kryetari i AAK-së në Pejë Fatmir Gashi i cili e ka uruar në Facebook.

“Urime Dr. Ali Berisha, posti i ri, detyra e zv. ministrit të Shëndetësisë. Me qeverinë Haradinaj do ta shërojmë shëndetësinë, dhe unë jam i bindur se me një ekip të tillë do të dalim faqebardhë para qytetarëve të Republikës”, ka shkruar Fatmir Gashi në Facebook, i cili edhe ka qenë i pari që e ka kominukuar këtë lajm nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në nivel qëndror.

Ali Berisha, mjek me profesion, është ndër figurat e respektuara brenda partisë dhe bashkëpunëtorëve. Ndryshe ka qenë prej emrave më serioz për Ministër të kësaj ministrie, derisa brenda koalicionit PAN llogaritej që këtë dikaster ta mbante AAK.

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj në dikasteret e rëndësishme qeveritare të cilat udhëheqen nga ministra të PDK-së, duket se po dërgon emra të besueshëm të rrethit të ngushtë të tij nga partia.