Haradinaj flet për incidentin në Prizren (Video)

11.06.2018 11:45:25

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se rasti i djeshëm në Prizren, ka qenë dështim i protokollit shtetëror.
Ai këto komente i ka bërë pas në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian.

“Është e papranueshme që një i paftuar me marrë fjalën. Sa jam në këtë detyrë askush nuk mund ta nëpërkëmbë shtetin në një ngjarje të tillë historike dhe shtetërore”, ka shtuar Haradinaj.

Ai ka thënë se është arrestuar Gjuriqi vetëm pse e ka shkelur ligjin në Kosovë, duke shtuar se nuk lejojnë të ndodhin ngjarje të tilla.

Haradinaj ka thënë se e kryen punën edhe të truprojës nëse ka nevojë.

“Në këtë vend nuk ka me shku më kështu, sepse kemi sakrifikuar për këtë. E kam marrë vëllaun në burg e kam dërgu vetëm për me respektu ligjin. Edhe vet në Hagë kam qenë për ta respektuar shtetin”, ka shtuar ai.

Ndryshe, të dielën kishte ndodhur një incident në shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ku kishte intervenuar kryeministri Haradinaj, kur një zonjë e mori fjalën jashtë protokollit.