Haradinaj: Gjykata Kushtetuese ta përshpejtojë marrjen e një vendimi për Ligjin për Pagat

13.12.2019 13:41:43

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ka deklaruar se është shumë e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese ta përshpejtojë marrjen e një vendimi për Ligjin për Paga.

Haradinaj beson se Ligji për Paga, i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese një ditë më parë, është kushtetues dhe i drejtë. Ai tha se i kupton të gjitha shqetësimet e sindikatave që kanë paralajmëruar ose kanë hyrë në grevë.

Haradinaj: Gjykata Kushtetuese ta përshpejtojë marrjen e një vendimi për ligjin për pagat

“Me rëndësi është që edhe pse ka një vendim për pezullim të ligjit që Gjykata Kushtetuese ta përshpejtojë marrjen e një vendimi. Pra, koha e pezullimit nuk është obligative nëse vjen vendimi, pra në momentin që vjen vendimi ta zëmë nëse Gjykata Kushtetuese e pranon që kushtetues ligjin atëherë menjëherë hyn në fuqi, pra është shumë më rëndësi që të shkurtohet koha e marrjes së vendimit sepse është një temë e ndjeshme. Unë e kuptoj edhe shqetësimin e të gjithëve që kanë paralajmëruar ose kanë filluar greva, por shpresoj shumë që Gjykata Kushtetuese pra në afatin më të shkurtër të mundshëm kohor do të merr vendim, sepse ky ligj besojmë është jo vetëm kushtetues po shumë i drejtë dhe është legjitim si ligj”, tha Haradinaj për KosovaPress.

Këto komente kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj i ka bërë pas homazheve që ka bërë tek shtatorja e heroit Mujë Krasniqi në Klinë në përvjetorin e 21 të rënies së tij.