Haradinaj kërkon njohjen e Kosovës nga Greqia

29.03.2018 16:38:01

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se integrimi në strukturat euroatlantike është prioritet i institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës dhe mbështetja e Greqisë në këtë fushë është e nevojshme.

Ai gjatë një takimi lamtumirës me shefen e Zyrës greke në Kosovë, Konstantina Athanassiadou, kërkoi njohjen e shtetit tonë nga Greqia dhe vazhdimin e partneritetit ekonomik e diplomatik.

Shefja e Zyrës greke në Kosovë, Konstantina Athanassiadou, theksoi se qasja konstruktive e Greqisë karshi Kosovës do të vazhdojë, si rezultat i bashkëpunimin korrekt me të gjitha institucionet në vend.

Kryeministri Haradinaj dhe shefja e zyrës në largim e Greqisë, Athanassiadou, u dakorduan për angazhim të përbashkët për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë.