Haradinaj: Me Listën Serbe, kemi bërë marrëveshje që e respekton Kushtetutën e Kosovës

02.10.2017 11:03:05

E plotësuar: Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk ka marrëveshje tjetër me Listën serbe përveç marrëveshjes për bashkëqeverisje, siç ka me partitë tjera.

Haradinaj tha se nuk ka asnjë shkronjë të nënshkruar nga ai që e turpëron familjen e tij dhe shtetin.

“Programi është ky që është, kur të dëshironi të flasim do të vi dhe do ta prezantoj, por jo debat jashtë këtij programi”, tha ai.

Haradinaj, tha se derisa opozita nuk e ka respektuar kërkesën për debat, gjatë seancës së kaluar parlamentare, as ai nuk do ta respektoj lojën që sipas tij, po e bën opozita në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk vi në seanca, sepse kam qenë këtu dhe ju kam dërguar programin qeverisës brenda javës, që jeni të gatshëm me diskutu për programin qeverisës”.

Haradinaj ka theksuar se në marrëveshjen me Listën Serbe, nuk ka marrëveshje tjetër pos qeverisjes me përgjegjësi.

“E vetmja marrëveshje me këtë listë, është të punojmë dhe t’i marrim përgjegjësitë. Betimi është dhënë me Kushtetutën e vendit dhe nuk ka një germë në këto marrëveshje që e turpëron Ramushin Haradinajn, familjen dhe vendin. Tani i kisha lut me mirëkuptim deputetët. Ditën e mirë se kam punë”, ka shtuar ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe anëtarët e kabinetit të tij janë larguar nga seanca e Kuvendit.

Hoti: Nëse Haradinaj nuk jep llogari para deputetëve, nuk e votojmë IPA-n

E plotësuar:  Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdulalh Hoti ka deklaruar se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në ratifikimin e marrëveshjes së IPA, nëse kryeministri i vendit Ramush Haradinaj nuk jep llogari para deputetëve të Kuvendit.

Hoti ia kujtoi Haradinajt se pa opozitën ligjet që kërkojnë 2/3 e votave të deputetëve nuk do të arrijnë të miratohen, nëse sipas tij kryeministri injoron partitë opozitare.

“Nëse ju nuk qëndroni për të dhënë llogari si është formuar qeveria, për pazaret politike, ne nuk do të qëndrojmë për votimin e marrëveshjes IPA që kërkon 2/3 votat e opozitës”, tha Hoti.

“Kryeministri i ka injoruar 59 deputetë të opozitës. Ju ftoj që të silleni në mënyrë konstruktive, nëse jo këto janë pasojat me të cilat do të përballeni”, paralajmëroi ai.

Veseli, Glauk Konufcës: Nuk je Zoti

E plotësuar: Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i është kundërpërgjigjur deklaratave të shefit të GP-së të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

Veseli pas fjalimit të shefit të Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, iu drejtua Konjufcës me “O Glauk Konjufca nuk je Zoti, me ia drejtu gishtin kujt e kur dush…”

Konjufca: Qeveria u krijua për t’i rehatuar dostat, Teuta Rugova e Zafir Berisha janë ‘siguresat’ e saj

E plotësuar: Shefi i Grupit parlamentar i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca  tha se seanca e jashtëzakonshme është dashur të mbahet para tri javëve.

“Kur qeveria Mustafa e shpërfillte opozitën me 30 deputetë, Haradinaj e kundërshtonte këtë, ndërsa tash e bën vet, dhe kjo bëhet nga njerëzit parimor dhe i gjykojnë proceset sipas pozicionit që e ka”, tha Konjufca.

Ai tha se qeveria Haradinaj ka shpikur ministri për t’i rehatuar personat e tyre. “Këtu kemi ministri që janë shpikë me akomodu dosta. Nga frika që kur të hiqen deputetët që bëhen ministra, atëherë vijnë me radhë deputetë nga partitë tjera, PDK është detyru që asnjë deputet mos me bë ministër”, shtoi Konjufca.

Ai tha se edhe disa vota ‘të sigurta’ për Qeverinë të cilat sipas tij, janë si lloj ‘siguresash’. Për këto vota, Konjufca e përmendi Teuta Rugovën e Zafir Berishën.

Betohen deputetët e rinj

E plotësuar: Pas marrjes së detyrave nga ana e disa deputetëve në postet qeveritare, ata do të zëvendësohen nga kolegët e tyre, të cilat janë radhitur më numrin e votave menjëherë pas tyre.

Pozitën e Ramush Haradinajt do ta zë deputeti i koalicionit PDK – AAK dhe Nisma, Nait Hasani, derisa Rrustem Berishën do ta zëvendësojë Gani Dreshaj.

Behgjet Pacolli do ta zëvendësohet nga deputeti Imer Rrahmani, ndërsa Pal Lekaj do të zëvendësohet nga deputeti Bekë Berisha.

Fillon seanca e jashtëzakonshme, diskutohet për programin qeveritar

Ka filluar të mbahet seanca e jashtëzakonshme, ku pikë e rendit të ditës është debati parlamentar lidhur me parimet programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021.

Seanca kohë më parë është thirrur nga opozita, por nuk iu është përgjigjur pozita, me arsyetimin se debati parlamentar për programin qeverisës duhet të bëhet në momentin e finalizimit dhe prezantimit të tij nga ana e Qeverisë.

Vazhdimi i kësaj seance është vendosur nga Kryesia e Kuvendit, e cila po ashtu ka vendosur që të martën të mbahet një seancë tjetër, ku pikë e rendit të ditës është interpelanca e kryeministrit, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP të LDK-së për ta informuar Kuvendin mbi akuzat publike të shfaqura ndaj ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo.