Haradinaj përsëri kërkon që të ndërpritet greva e mësimdhënësve

22.01.2019 17:08:13

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përsëri ka kërkuar nga SBASHK-u që ta ndërpres grevën.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë është deklaruar për grevën e mësimdhënësve, raporton lajmi.net.

Haradinaj në këtë konferencë ka kërkuar nga SBASHK-u që ta ndërpres grevën pas vendimit për rritjen e pagave.

Sipas tij, nuk ka arsye që fëmijët të humbasin më shumë mësim.

“Kërkesa ime si kryetar Qeverie, por edhe si një prind e bashkëqytetar, është që të rikthehet procesi mësimor që të mos i humbin kohë fëmijëve…. Nuk e di se sa do të përmirësohet gjendja nëse ata rrinë kështu”, është deklaruar Haradinaj, i cili shtoi, se rritja që i është bërë mësimdhënësve është mjaft korrekte.

“ Ajo që ju kam thënë unë është mjaft e sinqertë dhe është rritje mjaft korrekte dhe kjo është përkrahur nga të gjitha partitë…. Ju e dini se humbja e mësimit duhet të kompensohen këto orë dhe nuk besoj që do të jetë në interes të mësimdhënësve që verës t’i kompensojnë orët e humbura”, deklaroi Haradinaj.