Haradinaj pranoi ta takoi jashtë zyrës Lajcakun pa flamur të Kosovës

21.06.2019 10:20:57

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është takuar sot me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak.

Këtë Haradinaj e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, teksa ka shkruar se Sllovakia është kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Haradinaj në këtë takim kryediplomatit sllovak i ka kërkuar edhe njohjen e Kosovës.

Ajo çka vërehet në fotot e publikuara nga Haradinaj, është se ky i fundit e ka takuar kryediplomatin austriak pa simbole shtetërore, siç rëndom bëhet në takime zyrtare të këtij niveli.

Ky është postimi i Haradinajt në Facebook:

Mëngjes pune me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë njëherit edhe kryesues i OSBE-së, Miroslav Lajćak, me të cilin diskutuam për marrëdhëniet bilaterale e politike mes dyja vendeve, bashkëpunimin me Misionin e OSBE-së në Kosovë si dhe forcimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, veçanërisht në rrugën e përbashkët euro-atlantike. E falënderova Ministrin Lajćak për qëndrimin e tij të qartë kundër shkëmbimit të territoreve dhe theksova se njohja e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, veçanërisht nga Sllovakia, është një kontribut i drejtpërdrejtë për sigurinë e stabilitetin e gjithë rajonit.