Haradinaj: Status-quo rrezikon ta kthej Kosovën prapa

12.04.2018 11:47:02

Kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë diskutimit me temën “Fol hapur” në organizatën “FOL”, ka folur rreth procesit të dialogut me Serbinë.

Haradinaj ka thënë se ka qenë kundër kyçjes që Kosova të vazhdojë me këtë format të dialogut në Bruksel.

” Ju kam thënë se duhet të kalojmë në fazën finale të bisedimeve që nënkupton njohjen reciproke mes dy shteteve, këtë ia kam thënë edhe Mogherinit. Nëse ndodhë kështu, është mirë për Kosovën , ndryshe, status quo-ja është e dëmshme për vendin dhe rrezikon ta kthej prapa”, u shpreh Haradinaj.

Sipas tij, qeveria të cilën ai e udhëheqë, veç tjerash  i ka kushtuar vëmendje edhe sundimit të Ligjit në Kosovë, arsimit, shëndetësisë etj.

Duke thënë se formimi i kësaj qeverie ka qenë shumë sfidues, ai potencoi se qeveria ka trajtuar të gjitha temat, qofshin ato të lehta apo shumë të vështira, që diçka e tillë më herët nuk ka ndodhë.

Ai ka sqaruar se përveç rolit të presidentit në dialog, pjesë e pashmangshme me të gjitha përgjegjësitë në këtë dialog ka edhe qeveria dhe parlamenti, ndërsa ka kërkuar domosdoshmërish edhe kyçjen në dialog të burrështetasve më të fuqishëm botërorë, sic janë Trump, Merkel etj.