Haradinaj takohet me Palmer: Kosova e gatshme për dialog, njohje reciproke brenda...

Haradinaj takohet me Palmer: Kosova e gatshme për dialog, njohje reciproke brenda kufijve ekzistues

25.09.2019 20:15:40

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim me të dërguarin e Posaçëm të Sekretarit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Mathew Palmer.

Haradinaj përmes një shkrimi të bërë në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se, Kosova është e palëkundur në fuqizimin e partneritetit bilateral dhe strategjik, si dhe thellimin e miqësisë së përhershme me ShBA-në, transmeton Telegrafi.

Tutje, ai ka thënë se rikthimi në tavolinën e dialogut pa kushte dhe me afat dhe kornizë të qartë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është rruga e vetme që dy shtetet i përafron me strukturat euro-atlantike.

Haradinaj ka pohuar se caktimi i Zëvendës ndihmës Sekretarit, Matthew Palmer, si i dërguari i posaçëm për këtë temë, nga Departamenti i Shtetit, është sinjal i mbështetjes së vazhdueshme për Kosovën nga SHBA.

Ai ka bërë të ditur se në takim me Palmer, në New York, ka theksuar edhe njëherë se Kosova është e gatshme dhe e përkushtuar për marrëveshjen ligjërisht obligative, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues.