Hasanbegu edhe sot u anashkalua nga ekipet dezinfektuese

13.08.2016 17:04:35

Ekipet e dezinfektimit edhe sot nuk u panë askund në Hasanbeg, ndërsa era që kundërmon vetëm sa shkon dhe vështirëson më shumë gjendjen shëndetësore të fëmijëve po ashtu edhe të rriturve.

Se ekipet e dezinfektimit nuk janë parë askund e dëshmon edhe Mustafa Shaqiri, i cili thotë se në stallën e tij ka 40 lopë të gjalla por askush nuk ka ardhur të bëjë dezinfektimin e stallës, edhe pse siç thotë ai ka bërë me qindra telefona në institucionet gjegjëse.

Ndërkohë shumë banorë të tjerë ankohen për infektime dhe viruse të ndryshme si barkqitje dhe të vjella, veçanërisht tek fëmijët.

Vetëm një ditë më parë nga Komisioni për sëmundje ngjitëse rekomanduan banorët e vendeve të vërshuara vazhdimisht të bëjnë dezinfektimin e trupit, ndërkohë pikërisht në Hasanbeg nuk kishte asnjë pikë ku shpërndaheshin mjete për mbrojtje dhe dezinfektim.