Hasani: Mund të shtyhet seanca e 1 shtatorit për demarkacionin

27.08.2016 16:18:12

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani kohë më parë ka thënë se nuk do të votojë demarkacionin me Malin e Zi, duke theksuar se nuk do të votojë gjërat që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

E tani që kanë mbetur edhe pak ditë deri me datën 1 shtator kur edhe është paralajmëruar të mbahet seancë për votimin e demarkacionit të kufijve me Malin e Zi. Rreth votimit të këtij demarkacioni kanë dalë pro dhe kundër shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Kurse në një prononcim për Indeksonline deputeti, Nait Hasani ka theksuar se kjo seancë ka mundësi të mos mbahet fare me datën 1 shtator.

“Seanca e 1 shtatorit ka mundësi të shtyhet dhe që mos të mbahet në atë datë. Ka mundësi që kjo seancë mos të mbahet fare me 1 shtator, por të shtyhet për tre deri në katër ditë më vonë”, ka thë në Hasani.

Sipas tij, kjo shtyrje ka të bëjë me shenjtërimin e Nënës Terezë që do të bëhet në shtator.

“Për arsye të shenjtërimit të Nënës Terezë, që bëhet me 5 shtator, besoj se do të shtyhet edhe mbajtja e seancës. Unë besoj se kjo seancë do të shtyhet deri në ndonjë nga datat më të afërta që të jetë e mundur”, ka thënë Hasani.

Ndërsa ai nuk ka lënë pa theksuar se Komisioni Shtetëror nuk është i bazuar në fakte sa i përket demarkacionit me Malin e Zi.

“Kosova nuk ka territor për të humbur dhe as territor për tu shtuar. Ne jemi për marrëdhënie të mira me Malin e Zi, jemi për demarkacion me Malin e Zi, por jo në këtë formë që është vendosur e që është e papranueshme”, ka thënë Hasani.

Gjithashtu ndër të tjerash Hasani ka dyshuar nëse do të arrihet mbledhja e votave të nevojshme për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

“Dyshohet se nuk do të ketë mundësi në pasjen e votave të nevojshme, por unë megjithatë mendoj se do të shtyhet për shkak të shenjtërimit të Nënës Terezë”,ka përfunduar Hasani.