Hashim, je kumbarë i një Qeverie me bashkëkryeministër: Ramushi-Gjuriq!

16.09.2017 22:53:14

Nga Rexhep Kastrati

Hashim Thaçi paska thënë se të gjithë e kanë lutur listën “Srpska”, duke dashur ta releativizojë faktin se ai është kumbara i një Qeverie të varur tërësisht nga Beogradi.

Hashim Thaçi, ndërkaq, me gjithë qëllimin për të relativizuar varësinë e Qeverisë nga Beogradi, vetëm sa ka hapur një çështje shumë komprometuese për të dhe në përgjithësi për dy linjat: të Tiranës/Kretës dhe udbasho-jugosllavokomunuste, e që hedh dritë mbi karakterin e këtyre dy linjave dhe për bashkëveprimin e tyre me Serbinë dhe me aleatët e saj.

  1. Gjatë luftës, DGSE franceze ka rekrutuar Hashim Thaçin, dhe kjo është reflektuar jo vetëm gjatë luftës, por edhe pas saj, sidomos në bashkëveprimin për ndarjen e veriut.
  2. Shfaqja e linjës së Tiranës/Kretës pas takimit Nano-Milosheviq në Kretë.
  3. Gjatë luftës, strukturat institucionale, politiko-ushtarake u luftuan me egërsi nga një strukturë e LPK-së, LKÇK-së etj., që kishin uzurpuar dhe monopolizuar të drejtën për të folur në emër të luftës
  4. Pas luftës, Hashim Thaçi dhe Bajram Rexhepi legjitimuan strukturat serbe në Kosovë në prani edhe të Bernar Kushnerit.
  5. Më 2001, Hashim Thaçi pët herë të parë ka folur për ndarjen e Kosovës si shkëmbim territoresh.
  6. Më 2001, Hashim Thaçi dhe të ashtuquajtur pjesëtarë të krahut të luftës u bënë bashkë me serbë kundër presidentit Rugova dhe LDK-së.
  7. Më 2003, Bajram Rexhepi në cilësinë e kryeministrit kishte shprehur gatishmërinë për t’u takuar me Zoran Gjingjiqin pa ndërmjetësim ndërkombëtar dhe për të diskutuar për decentralizimin e Kosovës sipas konceptit të Gjingjiqit, pra për një autonomi serbe në Kosovë.
  8. Më 2004, përkatësisht më 17 dhe 18 mars ndodhën ngjarjet e njohura, të dirigjuara edhe nga pjesëtarë të linjës së Tiranës/Kretës, ngjarje që do të kenë ndikim shumë të keq edhe në pozitën ndërkombëtare të Kosovës, do të shërbejnë për legalizimin ndërkombëtar të ndarjes së Kosovës mbi baza etnike, do të shërbejnë për shfaqjen e ndarjes së Kosovës edhe në negociatat e Vjenës, më 2006-2007, si dhe do të ndikojnë që komunat me shumicë serbe të kenë kompetenca shtesë, që serbët të përvetësojnë kishat dhe shumë objekte historike, kurse Kisha ortodokse të jetë një shtet brenda shtetit, por edhe të kemi këtë rregullim juridiko-kushtetues që kemi.
  9. Në prag të shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Hashim Thaçi ishte takuar me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq;
  10. Më 2010, Hashim Thaçi prishi një Qeveri me LDK-në dhe formoi një tjetër me serbë, pakica tjera dhe me AKR-në e Pacollit.
  11. Më 2017, në bashkërendim me Vuçiqin paraqiti nismën për FSK-në. Kjo nismë nuk ishte diskutuar me Qeverinë e Kosovës, as me bashkësinë ndërkombëtare.
  12. Më 2017 kishin dalë hapur tendencat që negociatat në Bruksel të ngriteshin në nivel presidentësh, dhe kështu sërishmi të përjashtohej kryeministri Mustafa dhe LDK nga roli udhëheqës i këtij procesi. Qëllimi ishte që të vazhonin kompromiset e dhimbshme në Kosovë.
  13. Kjo politikë tashmë ka marr edhe miratimin e Ramushit, i cili ishte shprehur pro bartjes së negociatave në Bruksel në duart e Hashim Thaçit.
  14. Më 2014, Ramushi kishte dhënë shembullin se si është lutur lista “Srpska”, në kohën kur ishte kandidat i WLAN-it për kryeministër.
  15. VV po del të ketë bashkëthemelues edhe serbë, ndër ta edhe Nenad Rikallo, ministër i Bujqësisë dhe i dyshuar për dhunë ndaj shqiptarëve.
  16. VV për herë të parë ka kandiduar edhe njerëz të pakicave në listën e saj të kandidatëve.
  17. VV i ka ofruar besim dhe bashkëpunim Qeverisë së varur nga Beogradi.
  18. Veton Surroi gjatë tërë viteve ’90 të shekullit të kaluar është angazhuar për një zgjidhje për Kosovën në kuadër të Serbisë.
  19. Veton Surroi dhe pjesëtarë tjerë të linjës udbasho-jugosllavokomuniste gjatë tërë kohës kanë qenë kolumnist të medieve të Serbisë.
  20. Më 1997, Veton Surroi, javoren “Koha” e ktheu në ditore “Koha ditore” dhe e regjistroi në Ministrinë e Informatave të Serbisë.
  21. Me “Kohën ditore”, linja udbasho-jugosllavokomuniste kishte institucionalizuar dhe e kishte kthyer në shqip një propagandë që bëhej serbisht kundër presidentit Rugova.
  22. Edhe pse e regjistruar në Beograd, dhe edhe pse Vetoni kishte paraqitur hapur angazhimet për zgjidhjen e statusit të Kosovës në kuadr të Serbisë, kishte një afërsi shumë të madhe me linjën e Tiranës, kurse “Koha ditore” kishte qasje të plotë dhe të privilegjuar në zonat e luftës.
  23. Takimi i Baton Haxhiut si kryeredaktor i “Kohës ditore” me Stanishiqin, shefin e DB-së serbe, ishte kërthiza që ndërlidhte dy linjat me Serbinë.
  24. Më 1996, Adem Demaçi ishte angazhuar për bashkimin e votave të shqiptarëve të Kosovës me opozitën serbe për të rrëzuar Milosheviqin.
  25. Më 1997, Adem Demaçi doli me një projekt për një Ballkani, e që ishte një formë e një federate ballkanike e ideuar nga qarqe greke dhe serbe ndërmjet dy luftave botërore.
  26. Rexhep Qosja do të dalë më 1999 me njohjen e së drejtës së serbëve të Kosovës për vetëvendosje, ndërkohë që Serbia nuk njihte këtë të drejtë për shqiptarët e Kosovës, dhe ndërkohë që kryente masakra ndaj shqiptarëve.
  27. Rexhep Qosja, edhe më 2017 do të ringjallë platformën për ndarjen e Kosovës në emër të shkëmbimit të territoreve.
  28. Angazhimet e përbashkëta me listën “Srpska” të dy linjave kundër Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa deri në kufijtë e një lufte civile.
  29. Votimi i përbashkët i këtyre dy linjave me listën “Srpska” dhe me pakicat kundër Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa.
  30. Vazhdimësia e këtillë rezultoi me krijimin e një Qeverie të varur nga “Beogradi, për shkak të faktit se kjo Qeveri është ndërtuar dhe po mbahet më këmbë nga lista “Srpska”.
  31. Ngritja më këmbë e një Qeverie në krye me Ramushin u bë pas bartjes së aktivitetit të tij politik në Colmar të Francës.

Pra, të gjitha këto qartësojnë vazhdimësinë e bashkërendimit të dy linjave me Beogradin dhe me serbët lokalë, dhe arsyet se përse u rrëzua një Qeveri e përgjegjshme dhe e suksessshme dhe u krijua një Qeveri 41+20 dhe e varur tërësisht nga Beogradi.