Hashim, ke harruar se Thaçi është spiun?

14.03.2017 19:05:38

Nga Rexhep Kastrati

Hashim Thaçi sot ka thënë se është në dijeni të listës për likuidim, ku figuron edhe emri i tij, i Kadri Veselit, i kryeministrit Mustafa, por Hashimi, po ashtu, e di se emri i tij dhe i Kadri Veselit në listë është vetëm sa për të fshehur faktin se qëllimi është trysnia, kërcënimi dhe likuidimi i njerëzve të linjës institucionaliste në krye me kryeministrin Mustafa.

Hashimi e di se që 20 vjet, që nga vrasja e Ali Ukajt, nga ai vetë, apo nga dikush tjetër, janë eliminuar vetëm njerëz që ia kanë prishur terezinë atij dhe linjës së Tiranës/Kretës, në krye të të cilës vazhdon të jetë. Dhe Hashim Thaçi e ka ditur se kush ka vrarë, dhe kush duhej të vritej, sepse ai po ua thotë këtë vetë familjarëve të caktuar, duke bërë veten së paku dëshmitar për zbardhjen e atyre vrasjeve.

Hashim Thaçi di për lista likuidimesh, sepse SHIK-u dhe jo vetëm, ka punuar për të, ose edhe për të, prandaj, edhe ka qenë në dijeni për hartimin e atyre listave. Kjo do të thotë se shumica e vrasjeve, apo të gjitha janë bërë me dijeninë, e pse jo edhe me miratimin e tij.

Hashimi e di, se gishtin për vrasjen e Bekim Kastratit dhe të Besim Dajakut e kam drejtuar kah ai, kah Kadri Veseli dhe kah Gani Geci, derisa nuk dalin fakte konkrete për të kundërtën.

Dhe tash kur konfirmon se është në dijeni për listat për likuidim, më bën edhe më shumë ta mbaj gishtin kah ta, pra edhe kah ai.

Edhe përgjegjësinë për gjithë aksionet e dhunshme, tribale, anarkiste dhe destabilizuese, e ka Hashimi, Kadriu, Albini dhe soji i tyre, sepse tashmë e kanë bërë të qartë edhe vetë se gjithçka është e drejtuar kundër LDK-së për faktin se drejton qeverinë dhe ua ka prishur pazaret që mund të kenë bërë me serbë dhe me të tjerë.

Francezët e quajtën publikisht spiunë të tyre, e që drejtori politik i UÇK-së, ka qenë një spiun i francezëve, apo së paku i francezëve, sikurse Enver Hoxha – spiun i serbëve, apo edhe i francezëve. Dhe është për t’u mbajtur shënim se si edhe udhëheqësi i UNÇSH-së ishte njeri i serbëve, mbase edhe i francezëve, edhe udhëheqësi i UÇK-së po del spiun i francezëve, apo edhe i serbëve.

Po ashtu, është për të mbajtur shënim se si pas luftës në shtetin shqiptar, më 1944, që erdhi në pushtet njeriu i Serbisë, apo edhe i francezëve, edhe në Kosovë, pas luftës erdhi në pushtet njeriu i partisë së spiunit të francezëve, apo edhe i Serbisë.

Dhe tashmë kur në pushtet është LDK dhe Qeverinë e vendit e drejton kryeministri Mustafa, u lëshuan të gjitha bateritë kundër tij,kundër Qeverisë që drejton dhe kundër LDK-së.

Sllavo-ortodoksët dhe aleatët e tyre nuk mund të durojnë që shtetin e Kosovës ta drejtojnë të tjerët pos njerëzve të tyre. Prandaj, gjithë ky bashkërendim për të rrëzuar Qeverinë, për të destabilizuar vendin pikërisht që kur kryeministër i vendit është kryetari i LDK-së.

Prandaj, nuk mungojnë as listat për likuidim, ashtu siç nuk kanë munguar kurrë, e posaçërisht që nga viti 1998 e këndej, kur edhe kanë ndodhur vrasjet më të mëdha politike.

E Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre kanë vrarë njerëzit që u kanë prishur punë, e jo të tjerët. E Hashimi nuk është në grupin e atyre që u kanë prishur punë, por në grupin e atyre që u kanë ndrequr punë.

Prandaj, edhe pse tash formalisht mund të jetë në listë, sikurse edhe Kadri Veseli, por kush nuk i vret ata, derisa janë të përdorshëm ende. Por do të ishte marr vesh se cak është linja institucionaliste në krye me kryeministrin Mustafa, po të mos ishin emrat e Hashimit dhe të Kadriut.

E shfaqur në këtë kohë, kjo listë mund të jetë një mesazh i fortë kundër kryeministrit Mustafa, kundër LDK-së dhe kundër stabilitetit të vendit kur u kanë dështuar të gjitha format e obstruksioneve, intrigave dhe aksioneve të tjera për rrëzimin e Qeverisë dhe destabilizimin e vendit.

Mirëpo, Hashimi e di se tash është shumë vonë për të gjitha këto, sepse tashmë gjithçka është në skenë, gjithçka është në arenë, dhe të gjithë e dinë se Hashimi i di të gjitha, sikurse edhe listat për likuidim.