Hashim, si i binde serbët më 2014 të votonin pro FA-së: me një “Republika Srpska”, me ushtri serbe në Kosovë?

10.03.2017 23:04:58

Nga Rexhep Kastrati

Hashim Thaçi ka folur për çështjen e projektligjit për FSK-në pas kritikave të ashpra nga SHBA dhe NATO dhe nga qarqe të brendshme që e kritikuan atë për një ndërmarrje të njanshme dhe të dëmshme për vendin.

Në përpjekje për të arsyetuar procedimin e përshpejtuar dhe të pabashkërenduar me SHBA dhe me NATO-n, Hashim Thaçi u shërbye me të pavërteta dhe me akuza ndaj të tjerëve, pra edhe ndaj LDK-së.

Këto të pavërteta lidhen me akuza se gjoja ushtria e Kosovës paska pas mundësi që të themelohet në shkurt të vitit 2014, kur edhe paska pasur një bashkërendim me SHBA-të dhe me NATO-n, si dhe një pëlqim të mbi 20 kuvendarëve serbë në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, na paskan qenë të tjerët që paskan kërkuar që kjo çështje të shtyhet për legjislaturën aktuale.

Dhe në këtë pikë, Hashim Thaçi qartasi synonte që përgjegjësinë për mosthemelimin e ushtrisë në atë kohë t’ia linte LDK-së, edhe për të riaktualizuar akuzat e kohës së luftës dhe pas saj për gjoja qëndrimin e kësaj të fundit kundër luftës, dhe kështu për të bërë manipulimin e opinionit me të pavërteta, edhe për të arsyetuar procedimin e projektligjit për FSK-në në mënyrë të përshpejtuar dhe të pabashkërenduar me SHBA-të dhe NATO-n.

E vërteta e kthjelltë si loti është se në legjislaturën e kaluar, LDK në opozitë kishte dhënë gjithë konsensusin e saj për këtë çështje dhe për çështjen e veteranëve të luftës, edhe pse nuk ishte marrë parasysh asnjë propozim i saj qoftë për FA-në, qoftë për veteranët e luftës.

LDK ishte pajtuar që ta votonte ligjin për veteranët e luftës edhe pse nuk ishte përfshirë amendamenti i saj që në kuadër të këtij ligji të futej edhe FARK si formacion ushtarak që kishte kontribuar në luftën çlirimtare.

Në anën tjetër, edhe në rastin e FA-së, LDK kishte dhënë konsensusin e saj edhe pse nuk ishte pranuar propozimi që Forcat e Armatosura të quheshin Forcat e Armatosura të Republiksë së Kosovës, e megjithatë ishte pajtuar që të quheshin Forcat e Armatosura të Kosovës.

Dhe kur jemi te kjo çështje, Hashim Thaçi duhet të tregojë se përse nuk ishte pranuar që Forcat e Armatosura të quheshin Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, por vetëm Forcat e Armatosura të Kosovës? A ka pasur lidhje kjo me faktin se kështu është quajtur edhe organizimi institucional i luftës, apo se ka qenë një nga kushtet e serbëve për të dhënë votën e tyre pro kësaj Force? Me fjalë të tjera, a kanë kërkuar serbët që Kosova të mos quhet Republikë? Dhe nëse konsesnusi i serbëve është kërkuar edhe me plotësimin e këtij kushti, atëherë a nuk është kjo vepër kundërkushtetuese dhe kundërshtetërore?

Mirëpo nuk është vetëm kjo çështja kryesore, apo nuk është vetëm kjo një nga lëshimet e mundshme që Hashim Thaçi mund të ketë bërë për të marrë votën e serbëve. Përveç kësaj, Hashim Thaçi duhet të sqarojë sa a kishte premtuar se kundërshpërblim për votën pro të serbëve për FA-në, të krijohej një Asocicion me kompetenca ekzekutive pra një “Republika Srpska”, në kuadër të të cilit do të mund të vepronte edhe një ushtri serbe, qoftë edhe si batalion, brigadë apo strukturë tjetër?

Kjo do të thotë se çmimi i votës së serbëve për FA-në mund të ishte: 1. heqja e emërtimit Republikë për Kosovën; 2. krijimi i një “Republika Srpska” në Kosovë; 3. një ushtri serbe në Kosovë, qoftë edhe si pjesë e FA-së.

Nëse nuk do të ishte kështu, atëherë pse 20 e sa kuvendarë serbë do të jepnin votën e tyre pro shndërrimit të FSK-së në FA, dhe pse do t’i lejonte Serbia ta bënin këtë, kurse tash edhe pse nuk janë as gjysma e tyre, as nuk japin votën pro, as nuk lejohen nga Serbia?

Pra, del sheshit se Hashim Thaçi mund të ketë bërë pazare të dëmshme me serbët, apo edhe me vetë Serbinë, pasi që telefonata sikurse tash mund të ketë bërë edhe atëherë dhe vetëm me të tilla pazare mund të ketë marrë pëlqimin e serbëve për të votuar transfomimin e FSK-së në FA.

Dhe në këtë kontekst mund të kenë qenë SHBA-të kundër pazareve të tilla, sidomos po të kihet parasysh se vetëm dy muaj më parë, pra në dhjetor 2013, ambasadorja e atëhershme e SHBA-ve në Prishtinë, Trejsi An Xhekobson kishte tërhequr vërejtjen për rrezikun e krijimit të një “Republika Srpska” në Kosovë. Dhe mund të jetë pikërisht rreziku se Hashim Thaçi do e krijonte një “Republika Srpska” dhe një ushtri serbe në Kosovë, arsyeja kryesore që vetëm pak muaj më vonë do të binte Qeveria e drejtuar nga ai,  e jo se LDK apo dikush tjetër nga partitë shqiptare mund të ketë kërkuar shtyrjen për legjislaturën tjetër të çështjes së transfomimit të FSK-së në FA. Aq më tepër kur dihet se në shkurt të vitit 2014 ende nuk diskutohej çështja e rënies së Qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje të tjera. Dhe për ta përforcuar këtë, duhet të shtojmë se atë kohë ka pasur një angazhim intensiv të baroneshës Eshton lidhur me Gjykatën Speciale.

Krejt në fund duhet thënë se Hashim Thaçi duhet të pranojë se është peng i përkatësive agjenturore, i arsyeve se përse është në skenën politike e që lidhen me ndarjen etnike të Kosovës deri në ndarjen përfundimtare të saj, apo së paku krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë.

Zhvillimet e dy viteve të fundit, e në mënyrë të veçantë gjatë këtyre muajve të këtij viti, dëshmojnë se Hashim Thaçi është përfshirë në angazhime për destabilizimin e vendit edhe si pasojë e pazareve të mëhershme të bëra me serbët dhe me Serbinë, e që u shqua me retorika luftënxitëse, me angazhime obstruksioniste dhe të dëmshme për Kosovën.

Tashmë kur ka dalë hapur në pozitë të kundërt me interesat strategjike të Kosovës dhe të shqiparëve në përgjithësi, kur ka dalë në pozitë të kundërt me orientimin gjeopolitik e gjeostrategjik të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, Hashim Thaçi duhet ta ketë të qartë se nuk ka më, nuk mund të mbulohen marrëzirat dhe angazhimet e dëmshme me rrena, e as pazaret e ndryshme me serbët nuk mund të mbulohen me improvizime populiste, siç është edhe procedimi i projektligjit për FSK-në në mënyrë të përshpejtuar, i punuar pa u konsultuar me Qeverinë dhe i pabashkërenduar me SHBA-të dhe me NATO-n