Hashim Thaçi: Gjykata Speciale padrejtësi historike, por do shkojmë përpara për hir të SHBA-së

28.12.2017 10:17:19

 Hashim Thaçi, ka bërë me dije se e mbështet iniciativën e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se do ta nënshkruajë ligjin për këtë çështje sikurse çdo ligj që ka nënshkruar si president deri më tani.

Në këtë intervistë , Thaçi ka thënë se askush nuk duhet t’u frikësohet iniciativave qytetare.

Sipas tij, veprimet ligjore dhe kushtetuese mund të jenë të papëlqyeshme apo zhgënjyese, por nuk i prishin raportet me ShBA-në, BE-në dhe NATO-n.

Thaçi ka ritheksuar se Gjykata Speciale është padrejtësi historike, por e ka shtyrë përpara për hir të ruajtjes së partneritetit me ShBA-në, NATO-n dhe BE-në.

Sipas tij, krijimi i Speciales më tepër ka qenë lojalitet i Kosovës ndaj propozuesve sesa ka qenë i nevojshëm dhe bindje se duhet të ndodhë diçka e tillë.

Prandaj, presidenti Thaçi ka thënë se ky lojalitet i Kosovës nuk duhet të keqpërdoret.

Sidoqoftë, bazuar në raportin e publikuar nga organizatat joqeveritare, i cili është i bazuar në hulumtim të opinionit, 51 për qind e shqiptarëve të Kosovës janë shprehur të gatshëm të protestojnë në rast se Gjykata Speciale i akuzon ish-drejtuesit e UÇK-së.

Madje, 36 për qind e tyre, janë shprehur se do të ishin në gjendje të vepronin për ta parandaluar ndjekjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Perceptimi publik për sigurinë e dëshmitarëve është i ulët. Rreth 82 për qind e serbëve dhe 49 për qind e shqiptarëve të anketuar, besojnë se nuk ka siguri për të dëshmuar në Gjykatën Speciale.