Hashim Thaçi kujton të rënët e Betejës së Rahovecit

19.07.2020 17:26:22

Presidenti Hashim Thaçi ka kujtuar të rënët në përvjetorin e 22-të të Betejës së Rahovecit.

Përmes një shkrimi në Facebook, Thaçi tha se kjo ishte ndër betejat më të mëdha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai shton që ballafaqimi me ushtrinë dhe policinë serbe tregoi heroizmin e ushtarëve dhe eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Më 18 korrik 1998 në Rahovec filloi njëra ndër betejat më të mëdha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ballafaqimi me ushtrinë dhe policinë serbe tregoi heroizmin e ushtarëve dhe eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në betejën e Rahovecit ra heroikisht komandanti Agim Çela, dëshmorët Sadik Shala, Afrim Krasniqi, Hamdi Berisha, Gani Paçarizi, Habib Berisha, Liman Gegaj dhe Ramadan Morina”, tha Thaçi.

“Në shenjë hakmarrjeje për humbjet në betejë, ushtria dhe policia serbe vrau shumë civilë të pafajshëm. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të rënë për liri”, shkroi ai, njofton Telegrafi.