Hashim Thaçi-Kushtetueses për zgjedhjet në Podujevë: Respektova Kushtetutën dhe mbrojta shëndetin e popullatës

11.07.2020 10:48:06

Prej disa ditësh të dhënat që po publikon Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) flasin për numrin e madh të të infektuarëve me virusin Covid-19. Këto shifra vetëm sa po rriten nga ditë në ditë.

Pikërisht me qëllim të parandalimit të përhapjes së këtij virusi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në datën 14 mars kishte marrë vendim për shtyrjen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës, të cilat do të mbaheshin një ditë më pas, 15 mars. Vendimi në fjalë kishte ardhur pas kërkesës së KQZ-së për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve, sepse në të njëjtën ditë, IKShPK-ja i kishte rekomanduar pezullimin e këtyre zgjedhjeve me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë.

Vendimi i Presidentit Thaçi për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij vendimi.

KosovaPress ka parë komentet voluminoze që Presidenti i Kosovës, Thaçi, ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, i cili ka kërkuar që kërkesa e deputetëve të Vetëvendosjes të shpallet e papranueshme.

Presidenti Thaçi ka konkluduar se përmes shtyrjes së këtyre zgjedhjeve “ka vepruar në kuadër të kompetencave të tij të përcaktuara me Kushtetutë dhe me legjislacionin në fuqi”, si dhe “ka vepruar në të mirën publike dhe të interesit të qytetarëve, në mbrojtje të shëndetit publik dhe vlerave kushtetutese të Republikës së Kosovës, me qëllim të shmangies dhe parandalimit të përhapjes së COVID-19, duke pasur për prioritet shëndetin e qytetarëve dhe përballjen me pandeminë COVID-19”.

Në përmbledhjen e fakteve, Presidenti i vendit, ka treguar se ka marrë këtë vendim pas kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (14 mars 2020) që të pezullohen përkohësisht këto zgjedhje me qëllim të parandalimit të përhapjes së COVID-19. Kjo kërkesë e KQZ-së ishte bërë pasi që në të njëjtën ditë, IKShPK kishte rekomanduar pezullimin e tyre.

 

Gjithashtu, presidenti i vendit i ka thënë Gjykatës Kushtetuese se kur mori vendim për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve, ka marrë parasysh edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës, që në atë kohë drejtohej nga kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, përmes së cilit vendim çdo institucion publik reduktohej në veprime esenciale dhe staf esencial.

Kjo është hera e parë që në Republikën e Kosovës, institucionet detyrohen për të shtyrë procesin zgjedhor për shkak të rrethanave të krijuara. Për të njëjtën arsye, janë shtyrë edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.

Sipas të dhënave të fundit të IKShPK-së, numri i personave të vdekur ka arritur në 97, ndërkaq numri i rasteve aktive të infektuar me COVID-19 është 2,259 raste. Në 24 orët e fundit, nga 205 rastet e reja vetëm nga komuna e Podujevës janë 13 raste.