Hashim Thaçi: Mund të ketë struktura kriminale të lidhura me qarqe të caktuara politike

16.02.2018 08:16:47

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se janë duke vazhduar hetimet për vrasjen e liderit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Ai, për medien serbe ka theksuar se motivet e vrasjes, sipas informatave, janë mafioze.

“Hetimi për vrasjen e Oliver Ivanoviq po vazhdon. Deri më tani nuk ka asnjë tregues që aludoi për rastin e motivuar etnikisht, por informacioni i parë që tregon, kanë të bëjnë me motive mafioze. Ne do të bashkëpunojmë me autoritetet serbe, në mënyrë që të marrim informacionin e duhur. E vërteta do të dalë, edhe pse dikujt do t’i dhemb”, tha Thaçi për N1, transmeton Telegrafi.

Thaçi tha se këto ishin të dhëna paraprake nga autoritetet hetuese kosovare.

“Për më tepër, unë nuk mund të flas. Janë institucionet përkatëse që do të japin rezultatet e tyre. Megjithatë, mund të ketë struktura kriminale të lidhura me qarqe të caktuara politike”, tha ai.

Kujtojmë se Oliver Ivanoviq është vrarë më 16 janar në Mitrovicë, përballë zyrave të partisë së tij iniciativës qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia”.

Sipas autopsisë, Ivanoviq është goditur me gjashtë plumba dhe jo shumë larg nga skena e vrasjes është gjetur arma.