Hashim Thaçi nuk mund të ruajë fytyrën e vetë, e lë më dikujt tjetër

15.01.2017 12:48:24

Nga Rexhep Kastrati

Jehona që bëri ndalimi trenit provokativ të Serbisë, ka bërë që të ketë angazhime të mëdha politike dhe medietike për përvetësimin e meritave për këtë. Dhe këto u vërejtën që mbrëmë kur u shpik një urdhër i Hashim Thaçit për të ndalur trenin. Dhe sipas këtyre spekulimeve, Hashim Thaçi paska thirrur në takim ministrin e Brendshëm, Skënder Hysenin dhe drejtorin e përgjithshëm, Shpend Maxhuni dhe paska urdhëruar që teni tëë ndalohej. Çdo kush e di se mënyra qysh është paraqitur, pra si një takim të Hashim Thaçit me ministrin Hyseni dhe drejtorin, Maxhuni, pra në orët e mbasditës, është pak joseeioze, sepse sado që të gatshme, aksione të tilla do të kërkonin organizimin, bashkërendimin dhe angazhimin e disa strukturave të sigurisë shtetërore që do të ishte e vështirë të bëhej për një kohë kaq të shkrutër. Të kujtojmë se aksioni i 25 korrikut 2013 kishte dështuar, edhe pse ishte parapërgatitur që më parë. Së dyti, qysh gjatë orëve të hershme të ditës së djeshme janë bërë publike informacione sipas të cilave policia kishte marrë urdhër që ta ndihmonte policinë kufitare nëse për këtë do të kishte nevojë. Këtë e kishte konfirmuar edhe zëvendësshefi i Policisë në Mitorovicë, Besim Hoti. Po ashtu, edhe shefi i AHR-së kishte deklaruar se për këtë punë kishte informuar autoritetet përkatëse shtetërore. Edhe Edita Tahiri, përgjegjësinë për të marrë vendime e kishte bartur te kryeministri, ministri i Transporteve dhe ai i Punëve të Brendshme, e jo të Hashim Thaçi. Dhe letra e drejtuar drejtorit të Policisë së Kosovës, Shpenf Maxhuni, është bërë nga ministri Zharku, e jo nga presidenti apo edhe nga ndonjë ministër tjetër.

Dhe në atë letër është kërkuar pikërisht atë që kishte urdhër policia e Kosovës: të ndihmonte policinë kufitare nëse do të kishte nevojë për të zbatuar ligjin. Pra, urdhëri që policia e Kosovës të ndihmonte policinë kufitare nëse do të kishte nevojë, e për të cilin ka folur në orët e hershme të ditës së djeshme zëvedësdrejtori i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti ishte dhënë shumë më herët sesa takimi i prfolur i hashim Thaçit me ministrin Hyseni dhe me drejtorin e policisë, Maxhuni. Përveç kësaj, kryeministri Mustafa, e kishte shtruar çështjen e trenit në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të mbajtur nën drejtimin e tij, e ku thuhet se kishte marrë pjesë edhe Kadri Veseli. Pra, ka shumë informacione publike që dëshmojnë se çështja e trenit, nga kryemiistri Mustafa dhe Qeveria e Kosovës ishte trajtuar disa ditë më parë, por kuptohet ishte mbajtur sekret për të mos dështuar aksioni. Natyrisht, për aksionin në fjalë janë informuar edhe institucionet ndërkombëtare dhe përfaqësitë diplomatike në Kosovë, ashtu edhe siç ka thënë kryeministri Mustafa në konferencën e jashtëzakonshme për medie. Dhe këto punë janë bërë gjatë ditëve, e jo në orët vona të mbasditës së djeshme. Pra, janë të gjitha të dhënat se organizimi dhe vendimet për të mos lejuar trenin të futej në Kosovë janë marrë gjatë ditëve të fundit dhe gjatë orëve të para të ditës së djeshme, e jo në orët e vona të mbasditës së djeshme. Prandaj, edhe takimi eventual i Hashim Thaçit me ministrin Hyseni dhe me drejtorin e Policisë së Kosovës, Maxhuni, mund të jetë bërë si kofini pas të vjeli, pra pasi që gjithçka ishte organizuar dhe ishte vendosur nga kryeministri Mustafa dhe Qeveria e Kosovës, e jo më parë. Ndërkaq, nuk është hera e parë që Hashim Thaçi bën veprime të tilla si kofini pas të vjeli, pasi që edhe herë të tjera ka dëshmuar se fshihet mbrapa vendimeve që merr kryeministri Mustafa. Të kujtojmë vetëm çështen e vendeve të rezerevuara për komunitetet etnike në Kuvendin e Kosovës: edhe pse ende kryeministër i Kosovës dhe kryetar i PDK-së, pra partisë qeverisëse të vendit, Hashim Thaçi ishte treguar mistrec dhe ishte fshehur mbrapa Isa Mustafës, i cili ishte i prerë që vendet e rezervuara të mos vazhdonin më tej. Në anën tjetër, kryeministri Mustafa, për dallim nga Hashim Thaçi është treguar vazhdimisht parimor dhe i vendosur që të mos tolerojë kushtëzimet e serbëve për vendime të ndryshme. Kryeministri Mustafa, në asnjë rast nuk ka lejuar që të shkelen përcaktimet ligjore-kushtetuese në raport me listën “Srpska”, duke mos pranuar asnjëherë kushtëzimet e saj për pjesëmarrje në institucione, dhe nu iu ekspozuar asnjëherë trysnive të ndryshme për zhvillimet në vend. Falë këtyre, dhe modelit qeverisës që ka shpërfaqur, kryeministri Mustafa nuk ka nevojë që dikush tjetër t’ia ruajë fytyrën atij, por të tjerë po dalin me fytyrë nga vendosmëria e tij. Dhe me fytyrë dhe me dinjitet po del edhe vendi, i cili tek gjatë kësaj qeverisjeje po mund të mos lejojë zyrtarë serbë, madje edhe presidentin e Serbisë të futet në Kosovë, ndërkohë që në kohën e Hashim Thaçit, edhe forcat speciale të Serbisë futeshin si të ishin midis Kralevës, siç dëshmon edhe fotoja më poshtë.

Përfundimisht duhet thënë se përpjekjet për të përvetësuar angazhimet ligjore-kushtetuese të një apo disa institucioneve shtetërore nga drejtues institucionesh të tjera, është një përpjekje e mjerë, një dëshmi se nuk kanë çka të ofrojnë vetë diçka të mirë për vendin, pas shumë atyre të këqijave që ia kanë bërë gjatë viteve. Në anën tjetër, përpjekja edhe politike, edhe medietike për të bërë heroizimin e Hashim Thaçit për punët e të tjerëve, është edhe një dëshmi e bashkërendimit politiko-medetik të angazhimeve kundërshtetërore, mbrapa të cilave qëndrojnë pikërisht struktura mafiozo-politike. Dhe kjo paraqet një nivel tepër të keq, të dëmshëm dhe të mjerë të nivelit të politikëbërjes dhe të opinionbërjes në Kosovë që po del se është plotësisht në funksion të strukturave mafiozo-politike dhe të agjenturave kundërshqiptare.