Hashim Thaçi për takimin në Shtëpinë e Bardhë: Kosova nuk ka kohë...

Hashim Thaçi për takimin në Shtëpinë e Bardhë: Kosova nuk ka kohë për të humbur, duhet të lëvizim përpara

16.06.2020 09:48:49

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se kanë mirëpritur dhe i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së SHBA-ve për takimin e 27 qershorit në Uashington.

Thaçi ka thënë se është koha që të lëvizim përpara si shtet dhe shoqëri.

“Institucionet e Kosovës pas ftesës së SHBA-ve të presidentit Trump dhe ambasadorit Grenell për të vazhduar dialogun i janë përgjigjur pozitivisht dhe mirëpresim këtë hap vendimtar të SHBA-ve me besim të plotë se është koha që të lëvizim përpara si shtet dhe shoqëri, por edhe për paqen në tërë rajonin”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i vendit ka theksuar se është jetike që të mbyllen çështjet e hapura që bllokojnë zhvillimin ekonomik por edhe investimet e huaja.

“Qëndrimi i SHBA-ve dhe ftesa për takim në Shtëpinë e Bardhë rrit shpresën dhe besimin që ky proces do të ketë sukses, e para se ky proces ka mbështetjen e qartë të SHBA të vetë presidentit Trump si dhe  këmbëngulësin dhe vizionin e ambasadorit Grenell. Kosova gjithmonë ka besuar në SHBA dhe ka dalë fituese”, u shpreh Thaçi.

Thaçi shtoi se Uashingtoni e ka thënë qartë ky proces është për njohjen reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë dhe për të vazhduar angazhimin për anëtarësim të Kosovës në OKB.

“Ky proces është për Kosovën dhe qytetarët e saj, jam i bindur se do t’ia dalim me sukses dhe do të kemi rezultate konkrete. Kosova nuk ka kohë për të humbur, për stagnim as për hezitim duhet të lëvizim sa më shpejt që të jemi pjesë e OKB, NATO dhe BE-së”, tha Thaçi.

Presidenti tha se Kosova në këtë aspekt duhet të jetë e unifikuar dhe që të arrijmë suksese në takimin e 27 qershorit në Uashington.