Hashim Thaçi: Unë nuk kam bërë asnjë lloj krimi të pretenduar

16.07.2020 22:02:34

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur para medieve pas intervistimit të sotëm që ishte rrjedhimisht dita e katërt e intervistimit të tij në Dhomat e Specializuara.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar pas intervistimit të tij të ditës së katërt se ka dhënë dëshmitë e tij para prokurorit dhe gjykatësit.

Thaçi ndër të tjerash tha se ai nuk ka bërë asnjë lloj krimi që është pretenduar dhe se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër.

“Sapo përfundova dëshminë time para prokurorit të Dhomave të Specializuara. Më vjen shumë mirë që për 4 ditë me radhë kisha mundësinë që të jap sqarimet e mia për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me aktivitetin tim gjatë periudhës së luftës.. Gjatë këtyre katër ditëve jam munduar të sqaroj dhe të jap informacione rreth përgjegjësive të mia gjatë luftës. Gjatë tërë kësaj periudhe kam qenë i shoqëruar nga ambasadori Prsper në….Kemi pasur seanca produktive. Tani i mbetet prokurorit dhe gjykatësit që të vlerësojnë me paanshmëri dhe me mendje të hapur dëshminë time. Në rast se bëjnë një gjë të tillë në mënyrë profesionale ata lehtë mund të vijnë në përfundim se unë nuk kam bërë asnjë lloj krimi të pretenduar. Lufta jonë ka qenë e drejtë sepse ka qenë luftë për liri. Pikërisht se ishte luftë e drejt ne kemi pasur mbështetjen e aleatëve ndërkombëtar….Pikërisht përpjekjet për të rishkruar historitë, përpjekjet për të njollosur luftën e drejt, janë përpjekje për të njollosur intervenimin humanitar të NATO-s….Historinë tonë nuk do të mund të ndryshojë askush”, theksoi Thaçi

Ai po ashtu deklaroi se gjatë këtyre katër ditëve nuk është pyetur asnjë herë për pretendimet e raportit të Dick Martyt.

“Unë sonte nuk e kam të drejtën që të flas lidhur apo të jap ndonjë informacion në lidhje me dëshminë time tash e 4 ditë. Mund t’ju konfirmoj se deri më sot nuk jam pyetur në lidhje me këto pretendimet në asnjë rast”, deklaroi Thaçi.