Hashim Thaçin nuk e ndalin ata që i ka shkelë dhe i ka shndërruar në vegla

26.06.2018 14:38:11

Nga Rexhep Kastrati

Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, të dielën nuk kanë bërë asgjë tjetër pos kanë nxjerrë në dritë, pazaret që kanë bërë në errësirë, pra në takimet e tyre sekrete, e për të cilat ka kohë që jam duke dhënë alarmin dhe duke paralajmëruar në mënyrë sistematike.

Dhe si zakonisht, sikurse për të gjitha pazaret tjera, edhe me këtë rast, gjatë tërë kohës mbizotëronte heshtja ngaqë të gjithë ishin dhe janë nën kontroll qoftë për milionat e marra, qoftë për ndonjë shantazh dhe për ndonjë arsye tjetër.

Është e qartë se milionat e derdhur në medie dhe në politikë, por edhe në shoqëri civile, e kanë bërë efektin e tyre, pasi që jo vetëm se ua kanë mbyllur gojën atyre që duhet të flasin, jo vetëm që ua kanë gritur dy gishtat përpjetë atyre që dikur i  mbanin nën tavolinë, por edhe të bënin gjithçka për të penguar zërin e atyre që megjithatë flisnin dhe denonconin të gjitha pazaret e dëmshme për Kosovën, bënin gjithçka për t’i margjinalizuar dhe bllokuar të gjithë personalitetet e rëndësishme politike e medietike që ishin dhe janë të pashantazhueshëm.

Hashim Thaçi nuk e ka për gjë të bëjë pazare, sepse ai është në skenë edhe për shkak të pazareve të Kretës ndërmjet Nanos dhe Milosheviqit, edhe të agjenturave të tjera të shteteve aleate të Serbisë, por mbi të gjitha nuk e ka për gjë të bëjë pazare, sepse nuk ka kush e e ndal, pasi që i ka shkelë të gjithë dhe askush nuk mund ta ndalojë!

Vdekja e presidentit Rugova nuk ka qenë e rëndë vetëm se Kosova, vetëm se shqiptarët kanë humbur një Prijës, Udhëheqës të përmasave globale, por edhe se u intensifikua gjuetia e shtrigave ndaj personaliteteve të përkushtuar, autoritativë dhe të vendosur në filozofinë politike të presidentit Rugova.

Dhe kjo ishte gjuetia e shtrigave ndaj gjithë atyre që do të guxonin të kundërshtonin plojën që i luhej dhe po i luhet Kosovës, dhe që do të shoqërohej me njerëz që bëjnë çka u thuhet, që bëjnë më të lehtë luftimin e gjithë personaliteteve të përkushtuar, të pashantazhueshëm dhe që kanë kurajo dhe vendosmëri për të kundërshtuar seriozisht, për të penguar dhe për të pamundësuar dëme ndaj Kosovës.

Gjatë tërë viteve, së paku që nga kohë e luftës, Hashim Thaçi ka bërë pazare në emër të linjës së Tiranës/Kretës, e shumëherë e ka vënë në siklet edhe presidentin Rugova, por mjeranët e kaparisur nuk u ndalën kurrë së bëri keq, madje edhe duke u fshehur mbrapa filozofisë politike të presidentit Rugova dhe LDK-së.

Dhe tash jemi këtu ku jemi: procesi i ndarjes etnike të Kosovës qoftë në formën e dy entiteteve, pra të krijimit të një “Republika Srpska” në Kosovë, qoftë në formën aneksioniste sipas modelit ukrainas, qoftë edhe në formën e të ashtuquajturit shkëmbim territorial, ka hyrë në fazën përfundimtare.

Zhurma që ka filluar të bëhet, e që ka nga ata që e bëjnë sa për të thënë, të tjerë që megjithatë mund t’u mbyllet goja me një ciu-ciu, apo edhe të tjerë që e bëjnë si kofini pas të vjeli, siç do të thoshte Noli, nuk është gjë përballë pafuqisë për të penguar rrugëtimin 20 vjeçar të Hashim Thaçit dhe të linjës së Tiranës/Kretës.