Hashimi negocion ndarjen e Kosovës edhe për interesa ruse në botë

22.03.2018 13:38:48

Nga Rexhep Kastrati

Hashim Thaçi me Vuçiqin janë takuar në Paris dhe kanë negociuar ndarjen e Kosovës si shkëmbim territori, por ky takim është vetëm një nga fazat e procesit të ndarjes së Kosovës që ka filluar më 1998, e që në terren është kryer më 1999.

Të kujtojmë se formën politike të kësaj ndarjeje e ka realizuar Hashim Thaçi me takimin me Momçilo Trajkoviqin dhe popin Artemije fill pas luftës, me ndalimin e personalit të spitalit në veri të Mitrovicës, dhe me takimet e Bajram Rexhepit me Oliver Ivanoviqit.

Këtë formë të ndarjes së Kosovës, e ka thënë edhe Kadri Veseli, i cili është shprehur se mund ta marrin Preshevën nëse e jep Serbia, po ne nuk kemi çka t’i japim. Në fakt, kjo e Kadri Veselit është konfirmim i asaj që Hashim Thaçi ka thënë pas luftës se Serbia do Mitrovicën për Preshevën.

Në këtë mënyrë, është e qartë se kemi hyrë në një fazë kur ndarja e Kosovës mund të jetë një opcion real dhe i kamufluar me shkëmbim territori.

Edhe pse propganda për shkëmbim territori po fuqizohet tepër shumë për t’u paraqitur një “Republika Srpska” si një kompromis serb dhe si një “fitore” e Kosovës kundrejt tendencave për ndarjen e saj, megjithatë, nuk mund të harrohet fakti se kjo çështje ka dimesnione më ët gjera rajonale dhe më gjerë, e të cilat i kam përmendur në vazhdimësi.

Duhet thënë se çështja e ndryshimit të kufijve të Kosovës, prek drejtpërdrejt edhe kufijtë në rajon, pasi që do të hapet rruga për ndarjen e Bosnjes, të Maqedonisë, Malit të Zi etj. tendencat për dnryshim të kufijve në rajon, janë tendenca në radhë të parë sllavo-ortodokse, sepse u mundëson përfitime territoriale, përkatësisht zgjerim të tyre.

Në planin gjeopolitik, ndryshimi i kufijve në rajon qoftë si ndarje territoriale, qoftë edhe si shkëmbim territori, për Rusinë jep dy mundësi të mëdha: të shkëpusë territore nga shtetet fqinje të dala nga Bashkimi Sovjetik, si dhe të nxisë ambicie seperatiste në Evropë dhe në botë.

Në të dy rastet, Rusia zgjeron ndikimin e saj gjeopolitik, pasi dobëson ndikimin amerikan në zona të ndryshme gjeopolitike, si dhe fut në krizë shtete evropiane si Franca, Italia, Spanja, Polonia, Belgjika etj., por edhe të tilla si në Kinë, Japoni dhe në Amerikën latine.

Në këtë kontekst, duhet kujtuar se Rusia vazhdimisht e ka krahasuar Krimenë me Kosovën, përkatësisht ka bërë paralelizma në kontekst të të drejtës për vetëvendosje. Rusia jo njëherë ka thënë se nëse Kosova ka të drejtë për vetëvendosje, këtë të drejtë duhet ta ketë edhe Krimea.

Për të shmangur një rrjedhë të tillë gjeopolitike, SHBA-të në radhë të parë, por edhe BE janë deklaruar kundër ndryshimit të kufijve në rajonin tonë, edhe pse shtete të ndryshme, si Franca nuk janë deklaruar kundër, por përkundrazi kanë mundësuar edhe takime të tilla të fshehta ndërmjet hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiqin.

Së fundmi, Putin ka lëvizur më qartësisht në këtë drejtim, duke kërkuar nga Serbia që ta marrë veriun e Kosovës, pikërisht në bazë të skenarëve ukrainas, duke dëshmuar kështu edhe një herë se zhvillimet e viteve të fundit për destabilizimin e Kosovës dhe për rrëzimin e Qeverisë “Mustafa” janë realizuar në bazë të skenarëve sebo-rusë, në prëpjekje për ndryshimin e kufijve në rajon dhe për të legjitimuar ndarjen e shteteve si parim dhe të drejtë që duhet të vlejë edhe për shtete dhe për rajone të ndryshme gjeopolitike.