Haskuka dhe Quni me ‘selam’ për koalicionin LVV-LDK

17.12.2019 22:47:33

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka (LVV) dhe deputeti i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, kanë zhvilluar një takim në orët e mbrëmjes të së martës.

Takimin e ka bërë të ditur kryetari Haskuka, i cili përmes një fotografie të shpërndarë në profilin e tij në Facebook, ka thënë se bashkëpunimi ka filluar në Prizren, duke shtuar se shpreson që ky shembull të ndjeket edhe në Prishtinë

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë zhvilluar disa takime, ku kanë harmonizuar shumicën e programeve qeverisës. Bisedimet tani janë duke u zhvilluar në nivel kryetarësh, mirëpo Kurti dhe Mustafa kanë hasur në disa dallime sa i përket ndarjes së posteve, gjë kjo që ka zvarritur arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë vendim që mbledhja e parë e legjislaturës së shtatë të mbahet më 26 dhjetor.