Fitim Havolli: Infermierët janë diskriminuar dhe nënçmuar

Fitim Havolli: Infermierët janë diskriminuar dhe nënçmuar

22.05.2020 13:39:07

Mbi 100 infermierë në muaj nga Kosova emigrojnë në shtetet perëndimore. Ndërkohë që janë mbi një mijë të tjerë të cilët kanë aplikuar për punë. Në vend tash e sa kohë është dhënë alarmi se mjekët e infermierët janë duke u larguar nga sistemi mjekësor, dhe që kështu Kosova po mbetet pa këta shërbyes. Pjesa më e madhe e tyre shkojnë në Gjermani, e të cilët po sigurojnë kontrata pune dhe pagesa të kënaqshme.

Fitim Havolli, i cili është kryetar i Sindikatës së infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë, thotë se vendi nuk po trajton si duhet infermierët. Ani pse të njëjtit po rrezikojnë jetën tani gjatë pandemisë, dhe jo vetëm.

“Infermieri me vite të tëra ka qenë jo shumë i trajtuar si rëndësi ose si profesion, i cili është shumë i dobishëm dhe i rëndësishëm në raport jo me COVID-19, por gjithmonë ka qenë i pari dhe i fundit që takon pacientin. Mirëpo kërkesat tona në vazhdimësi si sindikatë kanë qenë me kohë tek institucionet gjegjëse. Siç është Ministria e Shëndetësisë, Komisioni parlamentar për Shëndetësi, kemi rastin edhe sipas kategorizimit të koeficientit në Gjykatë Kushtetuese duke pritur kategorizimin sipas meritokracisë, e të cilën realisht legjislatura e kaluar e ka rangu në një pozitë të pakënaqshme dhe të pa merituar”, thekson ai.

Fitim Havolli ka qenë në vijë të frontit kundër coronavirusit që nga dita e parë kur janë lajmëruar rastet në Kosovë më 13 mars. Ai po i ndihmon pacientët e infektuar, së bashku me shumë kolegë të tjerë.

Mirëpo, ai ka ankesa se kolegët e tij nuk janë të ranguar si duhet, dhe se sipas tij po diskriminohen në pagesë në ditën kur ata janë kujdestarë gjatë natës.

Këta të fundit kanë kërkuar që pagesa gjatë kujdestarisë të rritet nga 18.6 në 36 euro.

Havolli thekson se të gjitha këto kërkesa do i theksojnë edhe sot në një takim në Departamentin e Infermierisë në ShSKUK.

“Sot do të kemi një takim për disa probleme ose disa kërkesa të komunitetit që në vazhdimësi janë neglizhuar nga institucionet relevante. Për shembull kujdestaritë e natës që janë të mjerueshme ose janë shumë të diskriminuese në kuptimin e pagesës dhe po ashtu rrezikshmëria ku edhe ligji na garanton dhe asnjëherë nuk e kemi marrë. Ne po ashtu presim edhe tash vendimin e Gjykatës Kushtetuese sepse duke e marrë parasysh angazhimin tonë si komunitet edhe si sindikatë e kemi në Gj.K kërkesën tonë legjitime që koeficienti nga 2.25 të jetë 3.2”, shton Havolli