Haxhiu flet për numrin e ministrive që do të përfshihen në Qeverinë Kurti

23.10.2019 16:31:13

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu para nisjes së takimit të radhës në mes grupeve punues të Lëvizjes Vetëvendosje me atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në selinë e Vetëvendosjes, ka bërë të ditur se temë diskutimi në këtë takim ndër të tjerash do jetë edhe dialogu me Serbinë.

Haxhiu në një intervistë për KosovaPress ka thënë se me LDK-në deri tani janë dakorduar rreth numrit të ministrive, por se nuk kanë diskutuar edhe për ministritë që do t’i drejtojë Lëvizja Vetëvendosje apo Lidhja Demokratike e Kosovës.

Haxhiu tha se këto dy subjekte politike nuk do të kenë telashe në harmonizimin e qëndrimeve sa i përket dialogut me Serbinë.

“Sot do të flasin më gjerësisht. Njëra prej çështjeve që do të diskutohet do të jetë edhe dialogu me Serbinë. Besojmë që duke marrë parasysh bashkëpunimin tonë dyvjeçar me LDK-në që kemi pasur në kohën sa kemi qenë në opozitë ky bashkëpunim na ka shërbyer edhe për harmonizim të qëndrimeve, sepse ju e dini që bashkërisht e kemi kundërshtuar shkëmbimin territorial, bashkë e kemi kundërshtuar projektligjin për dialogun në Gjykatën Kushtetuese”, tha ajo.

Haxhiu tha se pas këtyre takimeve të grupeve punuese do të bëhet i ditur edhe programi qeverisës i ardhshëm.

“Janë edhe disa çështje tjera që janë në vazhdën e diskutimeve besojmë që në secilin këtyre takimeve të grupeve punuese ne do të punojmë në secilën prej temave që konsiderojmë që është  e rëndësishme dhe në fund do të bëhen të ditura se cilat janë qëndrimet e subjekteve politike apo gjegjësisht programi i qeverisjes së ardhshme”, u shpreh Haxhiu.

Përveç takimit të sotëm, Haxhiu foli edhe rreth numrit të ministrive, ku sipas saj,  maksimumi i numrit të ministrive në Qeverinë Kurti nuk mund të jenë më shumë se 15, derisa tha se janë duke punuar që shkrirja e 21 ministrive aktuale të bëhet në 12 sosh.

“Nuk do të jenë 21 ministri me qeverisjen Kurti, pra si numër është  përmendur numri 12, por assesi nuk mund të bëhen më shumë se 15. Këtë po e them për faktin, sepse në fushatën zgjedhore edhe zotëri Kurti,  por edhe zonja Osmani, kanë nënshkruar një marrëveshje zotime dhe kanë bërë disa zotime dhe aty ka qenë përveç tjerash edhe një zotim që qeverisja e ardhshme të mos t’i ketë më shumë se 15 ministri. Pra, synimi është t’i kemi 12, por assesi nuk do të jenë më shumë se 15 ministri. Ne po punojmë që t’i kemi 12. Kjo do të jetë pak e vështirë, sepse kemi shumë agjencione, të cilat duhet fuzionohen, dhe janë shumë ministri që do të fuzionohen në këto 12 ministri”, tha ajo.

Haxhiu ndërkaq ka hedhur poshtë pohimet se LVV dhe LDK kanë ndarë tashmë  ministritë që do t’i drejtojnë në qeverinë e ardhshme, por ka shtuar se secila prej këtyre ministrive do të jetë e obliguar të jetë llogaridhënëse dhe në koordinimin me kryeministrin në ardhje, Albin Kurti.

“Sa i përket emrave të përveçëm apo cilat ministri do t’u ndahen subjekteve politike tani për tani dihen vetëm emri i kandidatit për kryeministër që ka marrë mbështetjen nga qytetarët e Republikës së Kosovës dhe është diçka e padiskutueshme tani. Por nuk është që  kemi diskutuar se cilat janë ministritë, të cilat do t’i drejtojë Vetëvendosje, apo në anën tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës.  Por, pavarësisht se cilat ministri do t’i kenë subjektet politike, duhet të kihet parasysh se nuk do të jetë qasja si në qeverisjen e kaluar ku si me thënë ministrat e partive të ndryshme politike i kishin sikur tapi ato ministri të caktuara. Pra, ka qenë një si me thënë, drejtim privat i subjektit politik dhe jo i qeverisjes në tërësi dhe nuk ka pasur ndonjë koordinim me qeverinë… Secila ministri do të jetë e obliguar që të jetë në llogaridhënie të kryeministrit dhe të jetë në koordinimit të plotë me kryeministrin Kurti”, tha Haxhiu.

Kujtojmë që edhe gjatë javës së kaluar janë takuar grupet punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku pas takimit u tha se ata diskutuan për tema ekonomike, kryesisht për reformat e thella sektoriale që qeveria e re duhet të kryejë.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, derisa e dyta është renditur Lidhja Demokratike e Kosovës. Ndërkohë po vazhdon procesi i rinumërimit në QNR, i cili pritet të përfundojë sot.