Haxhiu: Marrëveshja e demarkacionit të vijë sa më shpejt në Kuvend

06.03.2018 21:50:04
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë se çështja e demarkacionit duhet sillet sa më shpejt në Kuvend dhe të bëhet ratifikimi i saj.

Haxhiu tha se tashmë nuk duhet të ketë vonesa në procedimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, e kur partitë politike të koalicionit janë marrë vesh për tekstin projektligjit që duhet të sillet në Kuvend.

“Me këtë marrëveshje të dy presidentëve, ku janë të përfshira të gjitha çështjet… Unë besoj që do të kryhet shpejt edhe nuk e di pse po vonohet në Kryesinë e Kuvendit”, ka deklaruar Haxhiu për Telegrafin.

Sipas saj, AAK nuk e ka penguar miratimin e kësaj marrëveshjeje, ashtu siç po thuhet, për tri vjet. “Mirëpo ka pasur tendenca nga partitë që tashmë janë në opozitë si LDK-ja që të bëjnë lojëra politike tash në fund”.

“Të gjitha zhvillimet e fundit që kanë ndodhë me demarkacionin janë më shumë sesa politikë me ndjenjat e qytetarëve. Unë besoj që nëse Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së nuk kish me lujt politikisht, tash kjo ish kry”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndryshe çështja e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi nuk ka arritur të votohet as javën e kaluar, pasi që nuk ishin të numrat e mjaftueshëm.

Ende nuk është e sigurt se a do të ketë seancë të veçantë për këtë temë këtë javë apo javën tjetër.