Haziri: FSK ka kapacitete për emergjenca në Kosovë dhe jashtë saj

14.08.2016 16:29:40

Forca e Sigurisë se Kosovës është e gatshme të reagojë në situata emergjente apo në rast të fatkeqësive natyrore si në Kosovë e rajon, por edhe krahas trupave të NATO-s, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kolonel Naim Haziri – shef i Shtabit të Komandës së Forcave Tokësore, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

“Misioni primar që ka FSK-ja, është që t’i përgjigjet kërkesave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në reagim në situata emergjente”, ka thënë ai. “Me kapacitetet tona që kemi, ne mund t’i dalim ndihmë edhe vendit tonë, por edhe shteteve të rajonit, ndoshta edhe më tutje. Por, me një kapacitet të kufizuar me çështjen e transportit të pjesëtarëve. Ne mund të mbështesim në rajon, për shkak se kemi transportin tokësor. Mirëpo nëse duhet të lëvizim në një distancë më të madhe kërkohet mbështetja me pajisje ushtarake. Realisht, gatishmëria e shteteve të NATO-s që janë në Kosovë nuk mungon për të mbështetur në këtë drejtim”.