Haziri: Në qershor dihet kandidati i LDK-së për Prishtinën, mund të jetë nga shoqëria civile

17.04.2017 17:54:57

Partia më e madhe në Prishtinë, LDK, ende nuk e ka përcaktuar kandidatin për Kryetar. Edhe pse janë përmendur disa emra ende asnjëri prej tyre s’e ka marrë mbështetjen e Kryetarit të LDK’së, Isa Mustafa për t’ia mësyrë garës për të parin e Prishtinës.

Gara për Prishtinën pritet të fillojë në vjeshtë. Ndërkohë që vetëm Lëvizja Vetëvendosje e ka deklaruar kandidatin për kryetar.

Në LDK janë përmendur emrat e Arban Abrashit, Haki Demollit e Ismet Beqirit e Avdullah Hotit. Por udhëheqësit e kësaj partie pritet ta befasojnë opinionin sa i përket çështjes së kandidatit për kreun e Prishtinës. Madje nuk përjashtohet mundësia që për kandidat të Prishtinës nga radhët e LDK’së të kandidojë edhe ndonjë person i cili nuk i përket strukturave të partisë.

Kështu ka bërë me dije të hënën për Express, Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

Ai ka thënë se kandidati për Prishtinën nga ana e kësaj partie do të bëhet publik në muajin qershor.

“…ende LDK-ja nuk ka vendosur për Prishtinën. Por në një proces të hapur deri ka fundi i muajit Qershor do të jetë i zbardhur emri i kandidatit për Prishtinën. Nuk përjashtohet asnjë njeri për garën e Prishtinës”, ka thënë ai.

Haziri është shprehur se asnjë kandidat nuk është i përjashtuar nga gara për kryetarë të Prishtinës.

“Unë personalisht nuk e favorizojë askënd, të gjithë janë të barabartë. Nuk është i përjashtuar askush nga gara për Prishtinës. Kandidat i besueshëm mundet me qenë edhe ndonjë person i cili është jashtë strukturave të LDK-së që mund të vie nga ana e shoqërisë civile. Opsioni i cili do të dal fitues në kandidaturë është opsioni i cili do ta fitojë Prishtinën”, ka deklaruar nënkryetari i LDK-së.

Ndërkohë që sa i përket deklaratave se kandidati potencial për Prishtinën duhet të jetë nga Llapi ose Gollaku. Haziri është shprehur se LDK nuk është parti krahinore.