Hedhet shorti, ja kundërshtarët e Kosovës

11.12.2016 13:50:42

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka pasur fat në shortin e hedhur të shtunën për parakualifikimet e Kupës së Botës 2019, që do të mbahet në Kinë. Verdhekaltrit kanë përfunduar në Grupin C, së bashku me Estoninë dhe Maqedoninë.

Kryetari i FBK-së, Erolld Belegu është shprehur mjaft i kënaqur me shortin, duke i shprehur ambiciet e Kosovës për të shkuar në kualifikimet e këtij kompeticioni prestigjioz.

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll i ka mësuar kundërshtarët e para-kualifikimeve për Kupën e Botës 2019 që zhvillohet në Kinë. Në para-kualifikime Kosova do të jetë pjesë e grupit ku do të bëjë gara me Estoninë dhe shtetin fqinj, Maqedonia, në kuadër të Grupit C.

Ekipet do t’i zhvillojnë ndeshjet sipas sistemit vajtje–ardhje në muajin gusht të vitit të ardhshëm dhe dy ekipet më të mira të grupit do të marrin pjesë në kualifikime për Kupën e Botës 2019. Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu, thotë se shorti që i ka rënë Kosovës, është më i miri i mundshëm që ka mundur të bie.

“Mendoj se do të paraqitemi sa më mirë në këtë grup. Shorti është më i miri që ka mundur të na bie. Këto dy Përfaqësuese nuk janë shumë të forta. Ne jemi ballafaquar edhe në të kaluarën me Estoninë dhe i dimë edhe kualitet që ka Maqedonia, pasi momentalisht nuk është duke kaluar momente të mira”, u shpreh Belegu.

Ndryshe, i pari i FBK-së ka folur edhe për ambiciet e Kosovës në këto para-kualifikuese. “Besoj se e kemi fituar përvojën e duhur në kualifikimet e para të zhvilluara. Synimi kryesor mbetet kalimi në fazën tjetër pasi besoj se e kemi kualitetin e duhur ta arrijmë këtë”, përfundoi Belegu.

Në kualifikime për Kupën e Botës marrin pjesë 32 kombëtare nga Evropa, kurse në Kupë të Botës marrin pjesë 12 ekipe nga kontinenti ynë. Përfaqësuesja e Kosovës sivjet ka garuar për herë të parë në garat e FIBA-s duke marrë pjesë në kualifikimet për Eurobasketin e vitit të ardhshëm.