Helmimi me “Novichok”, Britania i kërkon Moskës ekstradimin e dy rusëve

06.08.2018 22:46:02

Qeveria britanike është gati të paraqesë një kërkesë për ekstradimin nga Moska të dy rusëve të dyshuar për kryerjen e sulmit me agjent nervor në Salisbury që la një person të vdekur dhe tre të plagosur, sipas Whitehall dhe burimeve të sigurisë.

Ky veprim vjen pas muajsh hetimi të përpiktë nga qindra oficerë nga policia dhe agjencitë e inteligjencës. Ata kanë mbledhur së bashku lëvizjet e dy rusëve, që nga hyrja e tyre në Britani të Madhe deri në largimin e tyre.

Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës, i cili përgatiti kërkesën për ekstradim, e ka përfunduar procesin dhe është gati ta paraqesë, thanë burimet për The Guardian.

Kërkesa do të rigjallërojë betejën e zjarrtë diplomatike me Rusinë, e cila sigurisht e refuzon atë, duke nxitur një raund tjetër të dëbimeve diplomatike.  Marrëdhëniet midis Britanisë së Madhe dhe Rusisë ranë në pikën e tyre më të ulët që nga fundi i “Luftës së Ftohtë” pas sulmit me agjent nervor ndaj Sergei Skripal, një ish kolonel në inteligjencën ushtarake ruse dhe vajzën e tij Julia në Salisbury në mars.

Ata u gjetën të pavetëdijshëm në një stol në një qendër tregtare pas ekspozimit ndaj agjentit helmues “Novichok”.

Krerët e inteligjencës në Mbretërinë e Bashkuar kanë fajësuar në mënyrë specifike Rusinë për sulmin.

Charlie Rowley dhe Dawn Sturgess u trajtuan më pas për ekspozim ndaj agjentit nervor. Rowley u stabilizua, por Sturgess vdiq. Kremlini ka mohuar çdo përgjegjësi dhe ka bërë një fushatë kundër-akuzuese duke sugjeruar që Britania e Madhe të mbajë Skripalet kundër vullnetit të tyre dhe t’i mohojë atyre asistencë konsullore ruse.