Helmohen 25 punëtorë në fabrikën Lear në Tetovë

08.07.2017 16:41:17

Janë helmuar 25 punëtorë nga fabrika Lear në Tetovë. Shenjat e para të helmimit së pari janë vërejtur tek katër persona. Ata këtë mëngjes kanë ngrënë sallamë dhe pashtetë. Për një kohë të shkurtë kanë ndjerë simptoma të përzierjes dhe marramendjes. Ata kanë kërkuar ndihmë nga Ndihma e Shpejtë në Tetovë, njofton AIM.

“Ne menjëherë kemi intervenuar tek katër pacientët në fabrikën Lear. Ju kemi dhënë terapi të përshtatshme dhe pastaj i kemi transferuar në departamentin e infektologjisë. Pastaj erdhi një grup tjetër me Ndihmën e Shpejtë të Tetovës, të cilët kishin simptoma të helmimit, por edhe atyre pas dhënies së ndihmës, i kemi lëshuar për kurim shtëpiak”, tha Gzim Nuredini, udhëheqës i Ndihmës së Shpejtë në Tetovë.

Disa nga të helmuarit direkt kanë kërkuar ndihmë në departamentin e infektologjisë pranë Spitalit Klinik në Tetovë.

Ndryshe, edhe gjatë muajit mars në fabrikën Lear, u helmuan 220 punëtorë nga ushqimi.