Heqja e reciprocitetit, hyn në Kosovë kamioni i parë me targa të Serbisë

06.06.2020 15:14:21

  Pas heqjes së masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, sot në Kosovë ka hyrë kamioni i parë me mallra nga Serbia.

Kamioni ka hyrë në Kosovë nga Serbia rreth orës 13:50. Vozitësi  i kamionit, Vukashin Vukashinoviq nga Prijepolje, që do të kalojë tranzit nëpër Kosovë, ka thënë se “në Jarinje ka pritur mbi 12 orë dhe se pas vendimin të qeverisë së Kosovës për heqje të masës së reciprocitetit i është thënë se nuk ka nevojë për njoftimin për kamionë, që e ka lëshuar zyrtari kosovar për ndërlidhje në Beograd”.

Vukashi Vukashinoviq ka thënë për “Kosovo-online.com”, se për hyrje në Kosovë po presin edhe disa kamionë.

“Shoferët e kamionëve po shpresojnë që vendimi për heqje të masës së reciprocitetit nënkupton edhe normalizim të trafikut të mallrave”, deklaroi ai.

Ndryshe, Qeveria Kosovës në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.

Kryeministri Avdullah Hoti, pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, në një konferencë për media ka thënë se i kanë hequr të gjitha pengesat me Serbinë, për të rifilluar procesin e dialogut.

“Dje kemi miratuar programin e qeverisë. Kemi miratuar programin e organizimit të qeverisë në përputhje me besimin e deputetëve të Kuvendit. Kemi hequr pengesat për procesin e dialogut, zotim ky që e kemi dhënë përpara partnerëve tanë. Tani presim që edhe pala serbe të heq pengesat që të filloj dialogu me Serbinë”, ka thënë Hoti.

Pas vendimit të Qeverisë Hoti për heqjen e masës së reciprocitetit, ka reaguar ashpër ish-kryeministri, Albin Kurti, i cili e kishte vendosur këtë masë./