Heshtje zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, të dielën votohet për presidentin e ri

20.04.2019 19:56:55
Fushata presidenciale i ka lënë vendin heshtjes zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, e çdo gjë është gati për zgjedhjet e së dielës, të gjashtat që prej krijimit të këtij shteti në vitin 1991.

Zgjedhjet për presidentin e ri të vendit zhvillohen në një moment tepër kritik për qeverinë e kryeministrit Zaev, e konsiderohen si sfida e radhës për të.

Tema kryesore e fushatës presidenciale këtu në Maqedoninë e Veriut ishte padyshim marrëveshja e Prespës dhe i përzgjedhuri i Zoran Zaevit, Stevo Pendarovski këmbëngul se një fitore e mundshme e tij në zgjedhjet presidenciale do të sigurojë vazhdimësinë e reformave, ecurinë europiane të vendit, e rrjedhimisht edhe ekonominë e brishtë të tij.

Autoritetet e vendit u kanë bërë thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat që parashtron Kushtetuta në lidhje me procedurën.

“Të nderuar qytetarë! Të gjithë ne kemi mundësinë, që të dielën të përdorim të drejtën kushtetuese për të vendosur me sovranitet dhe pavarësi të plotë. Në përputhje me ligjet, Ministria e Brendshme do të ndjekë nga afër të gjithë procesin zgjedhor”, tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

Në bazë të sondazheve të javës së kaluar, pritet që presidenti i vendit të zgjidhet në raundin e dytë, ku duket se do të kalojnë i zgjedhuri i Zoran Zaevit dhe partive shqiptare në aleancë me të, Stevo Pendarovski, si dhe Gordana Siljanovska, që mbështetet nga partia opozitare VMRO-DPMNE.

Ndërkohë, të shumta janë skenaret sesi do të ndahen votat e kandidatit të Besës dhe Aleancës për Shqiptarët, Blerim Reka. Konsiderohet i mundshëm gjithashtu një bojkot nga ana e opozitës, nëse kandidatja Siljanovska do të ketë një diferencë të madhe nga Pendarovski në raundin e parë të zgjedhjeve.